Dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri, arrestohet 52-vjeçari në Himarë

Një 52-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Himarës, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në zonën e Borshit.
Ngjarja është konstatuar pas njoftimit për rënien e një zjarri në zonë, ku flakët përfshinë sipërfaqe me pyje dhe kullota. Për shkak të përhapjes së zjarrit, është rrezikuar edhe një banesë që ndodhej pranë vatrave.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe për kryerjen e veprimeve hetimore.
Pranë vatrave të zjarrit, uniformat blu kanë konstatuar shtetasin D. Z., 52 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet se kishte ndezur disa vatra zjarri në zonë.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë e arrestuan në flagrancë 52-vjeçarin, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës u ka bërë apel qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Gjithashtu, Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.




