E martë, 15 Shtator 2026 Mes'dritë deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

“Mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm”, policia greke në këmbë pas arratisjes së Alket Rizait

Ilustrim · Vizion Plus

Vijon kërkimi për kapjen e të dënuarit Alket Rizai, i cili nuk u kthye në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes së tij. Ai duhej të paraqitej në institucionin e vuajtjes së dënimit në orën 08:30 të së hënës, më 14 shtator, por ende nuk është gjetur.

Rizai dyshohet gjithashtu se është përfshirë në një incident me të shtëna armësh në Anavisosë.

“Që nga momenti që nuk u kthye, konsiderohet i arratisur dhe tashmë e gjithë përgjegjësia për gjetjen dhe arrestimin e tij bie mbi Policinë Greke”, deklaroi për ERT nënkryetari i Federatës Panhelenike të Policëve, Christos Syndrevelis.

Ai paralajmëroi se rasti nuk është i zakonshëm, pasi Rizai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm, çka e bën operacionin e policisë veçanërisht të vështirë.

Sipas autoriteteve, Rizai ka marrë gjithsej 16 leje daljeje që nga viti 2021, por në të gjitha rastet e mëparshme ishte kthyer në burg.

Lidhur me këtë, Syndrevelis tha se institucioni i lejeve për të burgosurit duhet të vijojë të ekzistojë, por kushtet për dhënien e tyre duhet të përditësohen, duke marrë parasysh edhe nivelin e rrezikshmërisë së çdo të dënuari.

Ai theksoi gjithashtu se, ndonëse policia nuk vendos për dhënien e lejeve, në fund është ajo që duhet të kërkojë dhe arrestojë të burgosurin në rast se ai nuk kthehet, duke marrë përsipër një operacion që mund të jetë tepër i rrezikshëm.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.