Thirrja për aplikime në kuadër të Rrjetit MIA është mbyllur me 245 aplikime, të ardhura nga profesionistë dhe subjekte të fushave të ndryshme, nga të sapodiplomuar e gazetarë, te informaticienë, organizata mediatike dhe studio të dizajnit grafik.
Sipas kryeministrit Rama, propozimet synojnë ta bëjnë më të thjeshtë gjuhën e përdorur nga institucionet, më të kuptueshëm informacionin për qytetarët dhe më sistematike mënyrën e prezantimit të materialeve informuese.
Thirrja për Rrjetin MIA u mbyll me një sukses absolut: Plot 245 aplikime nga ekselentë të sapodiplomuar, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike, studio dizajni grafik, dhe të tjerë akoma.
Kanë ardhur ide për ta bërë më të thjeshtë gjuhën e shtetit, më të kuptueshëm informacionin për qytetarët, më sistematike videot informatike, më prezente inteligjencën artificiale dhe më kreativ në formate rrjetin MIA.
Referuar kritikave të opozitës dhe akuzave se MIA është “agjenci propagande e regjimit”, kryeministri e shoqëroi njoftimin me një pyetje drejtuar kritikëve:
Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me ‘agjencinë e propagandës së regjimit’?
Më tej, ironizoi akuzat për “regjim”, duke ngritur tre mundësi:
Ose ‘regjimi’ e ka harruar fare zanatin e terrorit, ose propaganda e regjimit ka dështuar, ose pastaj përralla e ‘regjimit’ nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë.