Aktualitet

Fuoristrada e vjedhur gjendet e djegur në një tunel ushtarak në Vlorë!

Një fuoristradë e vjedhur disa kohë më parë, u gjet e djegur në një tunel të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës në Vlorë. Ngjarja u konstatua rreth mesnate, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cërkovinën me fshatrat përreth.

Pas alarmit për zjarr, në zonë shkuan shërbimet zjarrfikëse, që ndërhynë për shuarjen e flakëve.

Nga verifikimet e kryera, përfshirë kontrollin e numrit të shasisë, rezultoi se automjeti ishte raportuar i vjedhur disa kohë më parë në fshatin Panaja.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se policia po heton edhe pistën nëse makina mund të jetë përdorur për veprimtari të ndryshme të paligjshme, para se të përfundonte e fshehur në tunelin e vjetër ushtarak.

Automjeti gjendej brenda tunelit, në një zonë të izoluar e në një rrugë të paasfaltuar, çka bëri që prania e tij të mos konstatohej më herët nga banorët e zonës.

Policia ka nisur marrjen dhe administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar se kur u çua në zonë makina dhe për çfarë qëllimi mund të jetë përdorur.

Si pasojë e djegies së mjetit, flakët përfshinë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit.