I dhunojnë dhe arrestojnë/ Policia prangos 12 protestues se thirrën: Rama jepe dorëheqjen

I dhunojnë dhe arrestojnë/ Policia prangos 12 protestues se thirrën: Rama jepe dorëheqjen

11:46, 15/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Tiranës vijon arrestimet e dhunshme ndaj protestuesve paqësorë të cilët kërkojnë largimin e qeverisë Rama. Në një njoftim të ditës së sotme mësohet se ka arrestuar 12 persona  ndërsa ka proceduar penalisht 15 të tjerë.

Çfarë ndodhi dje?

Dhjetra qytetarë zgjodhën të marshonin në mëngjes nëpër rrugët e kryeqytetit dhe pranë shkollave, për të sensibilizuar gjimnazistët që t’i bashkoheshin në protestë.

Me thirrjet ‘Rama, jep dorëheqjen’ dhe ‘Ju erdhi fundi’, protestuesit kanë marshuar nëpër akset kryesore të Tiranës, ndërsa përballja me uniformat blu u shoqërua serish me dhunën e forcave te rendit.

Një protestues u godit me grusht në bark nga një efektiv i forcave “Shqiponja” pranë zonës së Zogut të Zi. Skandali ishte se protestuesi nuk po bënte fare rezistencë ndërsa mbahej me duar prapa nga disa policë të tjerë.

Çfarë informon sot policia?

Policia sot i akuzon se kanë cënuar perimetrin e sigurisë në shkolla dhe kundërshtuar punonjësit e Policisë.

“Më datë 14.09.2026, rreth orës 07:30, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa lejen përkatëse, dhe vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit, ku ndaluan pranë një gjimnazi duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin, duke cënuar perimetrin e sigurisë në shkollë.

Pavarësisht thirrjeve të punonjësve të Policisë për largimin nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për lirmin e trotuarit për kalimin e qytetarëve, disa prej pjesëmarrësve në tubim nuk iu bindën urdhrave dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit” Argumenton policia.

Të arrestuarit

U arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 19 vjeç; D. B., 36 vjeç; A. D., 41 vjeç; E. B., 36 vjeç; R. D., 31 vjeç; B. I., 37 vjeç; V. D., 29 vjeç; A. M., 20 vjeç; A. A., 56 vjeç; R. K., 63 vjeç; K. B., 24 vjeç dhe E. Xh., 39 vjeç;

-U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. B., 32 vjeçe; B. K., 27 vjeç; A. Zh., 26 vjeç; S. E., 32 vjeç; M. R., 28 vjeç; A. P., 49 vjeç; L. B., 39 vjeç; K. N., 20 vjeç; F. K., 34 vjeç; E. N., 33 vjeç, A. D., 23 vjeç, E. P., 31 vjeç, L. P., 26 vjeç, M. P., 18 vjeç, dhe I. M., 28 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco