Avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca ka reaguar pak pasi Gjykata e Lartë vendosi që të linte në qeli kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha për demokracinë në këtë vend”, e ka nisur kështu kë të deklarim të tijin Ndreca, duke paralajmëruar edhe hapa të tjerë ligjorë.
Sipas tij, vendimi ngre pikëpyetje mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garancitë që ofron sistemi i drejtësisë. Ndreca thekson se mbajtja e Veliajt në paraburgim, pavarësisht përfundimit të hetimeve dhe kalimit të çështjes në fazën e gjykimit, prek jo vetëm situatën e tij personale, por edhe ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës.
“Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim”, shkruan Ndreca ndër të tjera, duke nënvizuar më tej se klienti i tij vijon të prezumohet i pafajshëm dhe se beteja ligjore do të vazhdoje.
Ai ka paralajmëruar se mbrojtja do të përdorë çdo mjet juridik të parashikuar nga Kushtetua, ligji dhe instrumentet ndërkomëbtare.
Reagimi i Plarent Ndrecës:
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend. Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.
Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.
Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.
E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “laëfare”-it.
Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.
Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin.

