Gjykata Supreme rrëzon Trump: Refuzohen rregullat e reja për votën me postë

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë një tjetër goditje administratës së Donald Trumpit.
Gjyqtarët kanë refuzuar kërkesën e administratës për të lejuar zbatimin e rregullave të reja për votimin me postë, të propozuara përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Sipas rregullave të mbështetura nga Trump, shtetet do të duhej t’i dorëzonin shërbimit postar amerikan lista të personave që marrin fletëvotime me postë dhe të përdornin zarfe të posaçme, me barkode të miratuara nga shërbimi postar.
Fletët e votimit që nuk do të përmbushnin kërkesat mund të refuzoheshin.
Administrata Trump i ka mbrojtur ndryshimet si masa për forcimin e sigurisë dhe integritetit të zgjedhjeve.
Por kundërshtarët, përfshirë shtete dhe organizata për të drejtat e votuesve, argumentojnë se rregullat do të krijonin pengesa të reja dhe mund të çonin në refuzimin e votave të vlefshme.
Ata kundërshtojnë gjithashtu ndërhyrjen federale në administrimin e zgjedhjeve, një fushë që kushtetuta ua atribuon shteteve.




