Aktualitet

Trafik droge, kapet në Belgjikë 58-vjeçari i kërkuar nga Shqipëria!

Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare është arrestuar në Belgjikë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Policia e Shtetit njofton se falë bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve belgë, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit J. K., alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.

58-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me vendim të datës 4 prill 2023.

Ai dyshohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, 58-vjeçari dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, të cilat më pas janë shitur në shtete të ndryshme.

Hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme. Konkretisht, autoritetet dyshojnë se shtetasi J. K. ka investuar paratë në dy lokale në Shijak.

Arrestimi në Belgjikë është bërë pas shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge, në kuadër të hetimit për trafikimin e lëndëve narkotike.

Pas arrestimit, kanë nisur procedurat për ekstradimin e 58-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me procedurat gjyqësore për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Policia e Shtetit bën me dije se bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë vijon, me qëllim përfundimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit të arrestuar në Shqipëri.