Një grup kriminal që merrej me trafikun e drogërave të forta, është shkatërruar nga Policia në Belgjikë. Mes 8-të të arrestuarve, është një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vendin tonë, Gert Gjinarari, i cili njihet si “Gert Gjenarali”, dhe rezulton i dënuar për vrasjen e Naim Zyberit.
Sipas mediave vendase, hetimi ka filluar gati një vit më parë, ku u dha një informacion se sasi të mëdha kokainë, ruheshin në një apartament në Grotesteenëeg në Berchem. Sipas zëdhënësit të Prokurorisë belge, një 48-vjeçar u shfaq si banor i kësaj banese.
Por në fakt ai ishte ndërmjetësi dhe kontakti i grupeve kriminale nga Shqipëria dhe Amerika Latine, për importimin e kokainës nëpërmjet portit të Antverpit. 48-vjeçari dyshohet se koordinonte midis grupeve të ndryshme përgjegjëse për dërgesën, rikuperimin dhe shpërndarjen e drogës.
Sipas hetuesve belgë ofronte metoda të ndryshme për kontrabandën e drogës, mund të kërkonte ndihmë nga brenda, si nga rojet e sigurisë, dhe drejtonte korrierët.
"Disa ekipe rikuperimi u shfaqën gjithashtu gjatë hetimit. Dy ngarkesa kokaine, me peshë 46 dhe 53 kilogramë, u kapën në fillim të këtij viti", deklaron zëdhënësi i Prokurorisë.
Po ashtu ai ishte në kontakt me 52-vjeçarin Gerd Gjinarari, i cili u arrestua në 15 qershor të këtij viti, pasi rezulton i dënuar me burg në vendin tonë për vrasjen e bosit të mafias Naim Zyberi në Itali.
Sa i përket aksionit të policisë belge, u kryen kontrolle në shtëpi në disa qytete si Antëerp, Berchem, Deurne, Kapellen, Bruksel, Evere, Sint-Agatha-Berchem dhe Sint-Joost-ten-Node. Si rezultat i këtij aksioni, 8-të persona u arrestuan, përfshirë ndërmjetës, si dhe njerëzit me të cilët ai dyshohet se ka punuar ngushtë.
“Gjatë bastisjeve, policia gjeti, ndër të tjera, armë zjarri dhe municione të ndryshme në ndarje të fshehura, jelekë antiplumb, bllokues sinjalesh, para të gatshme, një makinë numërimi parash, pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara, si dhe presa dhe kallëpe për të bërë blloqe kokaine”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu zëdhënësi Prokurorisë Belge deklaroi se ky aksion u zhvillua nga një bashkëpunim i ngushtë me vendet e tjera dhe me Europolin. Ndërsa po ashtu ai nënvizoi se një ngarkesë prej 37 kilogramësh kokainë u kap në Shqipëri në një enë frigoriferike, ndërsa nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për lëndën narkotike që u kap dje në Portin e Durrësit.
Po kush është Gert Gjinarari?
Gert Gjinarari, një nga emrat më të njohur të botës së krimit shqiptar, i cili rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit si i forti i Tiranës, Naim Zyberi, në vitin 1997 në Itali.
Në vitin 2019, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, me pretendimin se shkak i lirimit të Gjinararit nga burgu ishte normalizimi i marrëdhënieve të tij me trashëgimtarët e viktimës. Ky vendim, në atë kohë, shkaktoi reagime të forta dhe polemika në opinionin publik.
Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e lirimit, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm. Por Gert Gjinarari nuk u gjet nga policia dhe më pas u shpall në kërkim ndërkombëtar, deri sa u arrestua në qershor të këtij viti.
