Ministri lituanez i Mbrojtjes, Kęstutis Budrys, tha se ka informuar aleatët e NATO-s për incidentin e mbrëmshëm me dronin, ndërsa tashmë po zhvillohen diskutime se si të forcohet krahu lindor i aleancës.
Ai tha se Lituania do të “kërkojë diskutime për këto çështje si në BE, ashtu edhe në NATO, sepse është e qartë se të gjithë kemi ende shumë detyra për të bërë”, raportoi transmetuesi publik lituanez LRT.
Droni u rrëzua nga avionë luftarakë italianë që merrnin pjesë në një mision të NATO-s, konfirmoi Ministria italiane e Mbrojtjes.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm lituanez, Kęstutis Budrys, tha se Lituania do t’i dërgojë një notë diplomatike Bjellorusisë, në shenjë proteste për hyrjen e një droni në hapësirën ajrore lituaneze gjatë natës.
Ai shtoi se vijon puna për përcaktimin e llojit dhe pronësisë së dronit. “Në bazë të kësaj, do të ndërmarrim edhe veprime të tjera”, tha ai, sipas transmetuesit lituanez LRT.
Tashmë NATO ka nisur hetimet ndërsa ministri Budrys theksoi se krahu lindor i NATO-s “duhet të forcohet dhe qëndrueshmëria e tij duhet të rritet”, në kushtet e tensioneve në rritje me Rusinë.
Incidenti në Lituani, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ndodhi pas sulmeve të fundit me dronë nga Rusia pranë kufirit me Poloninë.
Kievi ka paralajmëruar së fundi se Moska “po troket në derën e NATO-s”.
“Sulmet barbare të Rusisë në kufirin Ukrainë-Poloni, në Yahodyn, nuk janë thjesht vazhdim i sulmeve të saj ndaj kufijve shtetërorë”, shkroi në X të dielën ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha.
“Ky është terrori i Putinit që po ‘troket’ drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, shtoi ai
© SYRI.net