Policia Federale Gjyqësore belge ka goditur një grup të dyshuar kriminal shqiptar që dyshohet se merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës, përfshirë edhe përmes portit të Antwerpit.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tetë persona, ndërsa katër prej tyre janë lënë në paraburgim.
Ndërmjetësi nga Berchem
Hetimi nisi rreth një vit më parë, pasi autoritetet dyshuan se sasi të mëdha kokaine ruheshin në një apartament në Berchem, Antwerp. Në fokus të hetuesve u vendos një 48-vjeçar, i dyshuar si ndërmjetës mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe Amerikën Latine.
Sipas Prokurorisë së Antwerp-it, ai dyshohet se koordinonte grupe të ndryshme të përfshira në dërgimin, nxjerrjen dhe shpërndarjen e kokainës. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai përdorte metoda të ndryshme për kontrabandën, përfshirë sigurimin e ndihmës nga persona të sigurisë dhe organizimin e korrierëve.
Gjatë hetimit, policia kishte sekuestruar më herët dy ngarkesa kokaine, respektivisht 46 dhe 53 kilogramë.
Në hetim u përfshi edhe Gert “Gjenerali”
Hetimi zbuloi gjithashtu kontakte mes të dyshuarit kryesor dhe një shqiptari 52-vjeçar, i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet italiane për një vrasje të kryer në Milano në vitin 1997.
Sipas raportimit, bëhet fjalë për Gert Gjinararin, i njohur me nofkën “Gjenerali”.
Gjinarari dyshohet se në vitin 1997 vrau një rival në një spital në Milano, duke përdorur një pistoletë të fshehur mes një buqete me lule. Ai u arrestua në Antwerp nga ekipi FAST i Policisë Federale belge. Procedura për ekstradimin e tij drejt Italisë vijon.
Bastisje në disa qytete
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan armë dhe municione të fshehura, jelekë antiplumb, bllokues sinjali, para cash, makineri për numërimin e parave, pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara, si dhe presa e kallëpe të dyshuara për prodhimin e blloqeve të kokainës.
Pas arrestimeve, gjyqtari hetues nxori gjashtë të dyshuar para gjykatës. Katër u ndaluan, një u la i lirë me kushte dhe një tjetër u lejua të largohej.
U sekuestruan edhe 37 kilogramë kokainë në Shqipëri
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e vendeve të tjera dhe Europolin. Autoritetet belge nuk përjashtojnë arrestime të tjera jashtë Belgjikës.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, në Shqipëri u sekuestruan edhe 37 kilogramë kokainë, të fshehura në një kontejner frigoriferik.













