Pagat e gjyqtarëve, ministri Gogu: Kuvendi humbi afatin, por zgjidhja bëhet me ligj

15 Shtator 2026 | 12:45

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu pranoi këtë të martë në Kuvend përgjegjësinë e procesit ligjvënës për mosrespektimin e afatit të 31 korrikut për pagat e magjistratëve, por theksoi se vonesa e Kuvendit nuk mund të ndryshojë ndarjen kushtetuese të kompetencave mes pushteteve.

“Kuvendi e humbi afatin e 31 korrikut. Këtë nuk e mbroj dhe nuk do të mundohem ta mbroj. Por vonesa e Kuvendit ishte shkelje e një afati. Përgjigjja ndaj saj nuk mund të jetë shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve”, deklaroi Gogu.

Ministri tha se debati nuk duhet reduktuar te niveli i pagës së gjyqtarëve, por te mënyra kushtetuese me të cilën ajo përcaktohet.

“Pyetja nuk është sa duhet të marrë një gjyqtar. Pyetja është kush e vendos sa merr. Dhe përgjigjen nuk e jap unë. E jep vetë vendimi që kërkohet të zbatohet: paga caktohet me ligj”, tha ai.

Gogu theksoi se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret për të zhvendosur kompetencën e tij te një institucion tjetër.

“Një boshllëk ligjor, sado i krijuar prej nesh, nuk është një kompetencë e lirë që e merr kush mbërrin i pari. Përgjigjja ndaj vonesës sonë është që Kuvendi të bëjë detyrën e vet, jo që arkitektura kushtetuese të rishkruhet nga nevoja e momentit”, u shpreh ministri.

Ai shmangu debatin mbi shumën konkrete të pagave, duke ia lënë Ministrisë së Financave paraqitjen e kostos financiare.

“Unë nuk kam ardhur këtu të mbroj një numër. Shifrën, metodologjinë dhe faturën financiare i paraqet Ministria e Financave. Përgjegjësia ime është të mbroj standardin që zgjidhja të jetë kushtetuese, e qëndrueshme dhe e zbatueshme”, tha Gogu.

Ministri kërkoi gjithashtu që mosmarrëveshja për pagat e magjistratëve të mos rëndojë mbi punonjësit e administratës gjyqësore.

“Sekretarja, arkivisti dhe specialisti i financës nuk janë palë në këtë mosmarrëveshje. Pagat e tyre nuk duhet të varen prej saj”, deklaroi ai.

Në fund, Gogu e vendosi debatin në një kontekst më të gjerë të reformës në drejtësi, duke argumentuar se pavarësia duhet të shoqërohet nga mekanizma efektivë llogaridhënieje për çdo pushtet.

“Kjo vlen për çdo pushtet, edhe për tonin: pavarësia pa llogaridhënie rrezikon të rrëshqasë drejt papërgjegjshmërisë. Tri gjykime kushtetuese për të njëjtin nen brenda katër vjetësh nuk janë fatkeqësi. Janë diagnozë. Ky ligj mbyll një urgjencë, nuk ndërton një sistem. Sistemin duhet ta ngremë së bashku. Vendimet e Kushtetueses zbatohen. Zbatohen edhe kur kushtojnë, por zbatohen duke respektuar njëkohësisht vendimin dhe rendin kushtetues të kompetencave”, përfundoi Ministri i Drejtësisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kishte kultivuar 80 bimë kanabisi pranë banesës në Mallakastër, arrestohet 41-vjeçari

Një 41-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi kishte kultivuar 80 bimë narkotike pranë banesës së tij në Mallakastër. Sipas raportimeve të policisë, në...
13:17 | 15/09/2026

Rrëzohet kërkesa e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, mbetet në qeli

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së...
12:18 | 15/09/2026

Rama viziton Katedrën e Gjuhës Shqipe në Napoli, merr pjesë në inaugurimin e Konsullatës së Nderit

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të martë në Napoli, Itali, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së...
12:05 | 15/09/2026