Rodri Hernandez ka zbuluar më shumë detaje për një prej vendimeve më të bujshme të merkatos së verës së fundit: zgjedhjen e Barcelona-s përpara Real Madrid-it.
Mesfushori spanjoll pranon se refuzimi i klubit madrilen nuk ishte aspak i lehtë, por në fund projekti sportiv i katalanasve e bindi të ndryshonte drejtim pas aventurës së tij te Manchester City.
Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Rodri tregon se Real Madrid-i ishte realisht i interesuar për shërbimet e tij. Madje, pasi mori vendimin për të firmosur me Barcelona-n, ai kontaktoi Jose Mourinho-n për ta falënderuar për interesimin dhe mënyrën se si ishte sjellë gjatë gjithë procesit.
“Jo” ndaj Real Madrid-it, sipas Rodri-t, ishte një vendim i vështirë pikërisht për shkak të respektit që kishte krijuar për klubin dhe njerëzit që u përfshinë në negociata. Mesfushori vlerësoi veçanërisht qëndrimin e Mourinho-s dhe zgjodhi t’i komunikonte personalisht vendimin e tij.
Megjithatë, në fund peshuan më shumë arsyet sportive. Rodri zgjodhi Barcelona-n dhe iu bashkua projektit të Hansi Flick-ut, duke u kthyer në një prej përforcimeve më të rëndësishme të klubit katalanas për sezonin 2026-27.
Spanjolli ka mbërritur në “Camp Nou” pas një periudhe të jashtëzakonshme me Manchester City-n, ku u shndërrua në një prej mesfushorëve më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Përvojën e tij në nivelet më të larta ai synon ta transferojë tani te Barcelona, e cila ka objektiv të rikthehet në majën e Evropës.
Rodri nuk e fsheh ambicien për Champions League, por është i kujdesshëm kur flet për favoritët. Sipas tij, Barcelona ka potencialin për të luftuar për trofeun, por duhet të tregojë më shumë pjekuri, qëndrueshmëri dhe kontroll në momentet vendimtare të ndeshjeve.
Kështu, pas shumë zërave dhe një gare të fortë mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, Rodri ka treguar vetë se pse përfundoi në Barcelonë.