PDK çon “qeverinë” në Kushtetuese, opozita pretendon se Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka bërë të ditur se kjo forcë politike ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e votimit në Kuvendin e Kosovës të qeverisë së re, dy ditë më parë.
Ai tha se sipas vlerësimit të PDK-së parlamenti aktual është i pakonstituuar dhe nuk ka legjitimitet të plotë për ta votuar përbërjen e ekzekutivit.
“Sot, bashkë me Përparimin, siç ju kemi paralajmëruar edhe dje, jemi këtu, në Gjykatën Kushtetuese, ku e depozituam kërkesën tonë për të trajtuar edhe çështjen e votimit të Qeverisë. Pra, ky Kuvend, i cili tashmë ka dilema dhe, sipas vlerësimit tonë, është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet, patjetër që duhet t’i vendoset masa dhe duhet të rikthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese”, tha Tahiri.
PDK ka paralajmeruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për vendime të tjera që mund të merren nga Kuvendi, në të ardhmen.
“Sepse secili vendim që derivon nga ky Kuvend i pakonstituuar, ne do ta deponojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojmë ligjshmëri. Sot e bëmë për qeverinë, e cila është votuar me datën 13, dhe po ashtu po paralajmëroj edhe njëherë që secilat vendime dhe secilat akte juridike që dalin, ne do t’i sfidojmë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që vendi me u kthy në binarë kushtetues”, përfundoi Tahiri.
Deputeti tjetër Përparim Gruda komentoi edhe tërheqjen e Bekim Sejdiut nga kandidatura për president, duke thënë se ajo nuk ishte rezultat i një procesi negociues ku PDK-ja kishte qenë palë.
“Ajo kandidaturë nuk ka dalë si proces i negocimit ku PDK ka qenë palë. Kështu që s’kam shumë për të thënë. Kemi qenë të bindur që nga fillimi që Kurti nuk e ka përmendur që të zgjedhë president Sejdiun, por vetëm të krijojë një momentum të ri politik për një lojë të radhës politike”, tha Gruda.
Dy ditë më parë Kuvendi u shpall i konstituuar pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe komuniteteve pakicë.



