Një lajm i kobshëm mbërriti mëngjesin e sotëm nga Kosova. Flora Brovina mbylli sytë përgjithmonë në moshën 76-vjeçare, dukë lënë pas një jetë të tërë kushtuar njerëzve, Kosovës dhe një ideali për të cilin pagoi edhe me lirinë e saj.
E teksa të shumtë janë ata që kanë reaguar për këtë lajm të dhimbshëm, duke e përshkruar atë si një grua të rrallë, askush dhe asgjë nuk e tregon më së miri se kush ishte Flora Brovina sesa ajo fotografi e nëntorit të vitit 2000.
Pas afro 19 muajsh në burgjet e Serbisë, pasi ishte mbajtur si peng lufte, Brovina u lirua dhe u kthye në Kosovën e lirë. Ishte nëntor, dhe sapo këmbët e saj prekën tokën e Kosovës u ul dhe e puthi.
Ky fragment është shënjuar në memorien e shumë prej atyre të cilët ishin dëshmitarë të dhimbjeve që forcat serbe shkaktuan.
Po aq i paharruar është edhe takimi i saj me Hashim Thaçain dhe luftëtarët e UÇK-së pas lirimit. E lodhur nga burgimi, por me të njëjtën ngrohtësi dhe mirësi që e kishte të sajën, Flora iu drejtua atyre: “Djemtë e mi, sa më paska marrë malli për ju. Edhe më të bukur se në TV po më dukeni. Me ju jam gjithmonë.”
Flora Brovina ishte mjeke, poete, humaniste, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe të grave, ish-e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete dhe një prej nënshkrueseve të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
E lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj, ajo për më shumë se pesë dekada e lidhi jetën e saj me mjekësinë, letërsinë, humanizmin dhe angazhimin për Kosovën.
Gjatë viteve më të vështira të luftës, Brovina zgjodhi që të qëndronte në Kosovë. Ajo u kujdes në Prishtinë për gra, fëmijë dhe familje të prekura nga lufta dhe drejtoi një strehë për gra dhe fëmijë. Për këtë veprimtari autoritetet serbe e akuzuan se kishte ndihmuar edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Më 20 prill 1999, ajo u arrestua nga forcat serbe në Prishtinë. U mbajt fillimisht në Kosovë dhe më pas u transferua në burgjet e Serbisë. Më 19 dhjetor 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim, në një proces i cili u kritikua ndërkombëtarisht për parregullsi. Amnesty International e shpalli “Prisoner of Conscience”, ndërsa për lirimin e saj u angazhuan edhe institucione ndërkombëtare.
Më 1 nëntor 2000, pas muajsh të gjatë prapa hekurave, ajo u lirua dhe u kthye në Kosovë, në vendin e saj, mes njerëzve të saj.
Që në fëmijëri, Flora kishte gjetur strehë te librat. Më vonë u bë poete dhe shkrimtare. Mësuesja e saj, Lirie Tanefi nga Elbasani, ishte ndër njerëzit që e nxitën të shkruante. Një ndikim të madh në jetën e saj pati edhe gjyshja, të cilën Brovina e shihte si shembullin e parë të qëndresës dhe barazisë gjinore. Prej saj kishte mbetur këshilla që e shoqëroi gjatë jetës: “Të ecësh kryelartë, për mikun dhe armikun.”
Kjo humbje e madhe ka sjellë hidhërim të madh si në Kosovë po ashtu dhe në Shqipëri. Së fundmi ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar Brovinën një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të saj.
“Mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, shkruan ajo ndër të tjera.
Ndërkohë që në mesin e dhejtëra reagimeve për këtë humbje të madhe ka ardhur dhe ai i demokrates Edith Harxhi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo e ka konsideruar Brovinën si një mike, humaniste dhe mjeke të përkushtuar.
“Me hidhërim mora sot lajmin për humbjen e Dr. Flora Brovina, një mike e dashur, humaniste e shquar, mjeke e përkushtuar. Me Dr. Florën jam njohur menjëherë pas kthimit të saj nga burgjet serbe dhe bashkëpunova ngushtë gjatë qëndrimit tim në Kosovë për ngritjen e Qendrës Humanitare të cilën Dr. Brovina drejtonte.
Më pas njoha edhe dimensionin e saj politik gjatë punës së saj si deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.
Jam miqësuar dhe kemi ndarë hallet e kombit me Dr. Florën dhe me bashkëshortin e saj të ndjerë Hajri Begu. Kjo humbje vjen vetëm një ditë para vendimit të shumëpritur për heronjtë e UÇK-së dhe Presidentin Thaçi e Kryeparlamentarin Krasniqi, me të cilët kam ndarë një pjesë të rrugëtimit tim politik më Kosovë dhe Shqipëri, e për të cilët mendoj se është bërë padrejtësi e madhe në bazë të një konspiracioni po aq të madh ruso-serb.
Jam e sigurt se Dr. Flora Brovina kishte kërkuar dhe uruar daljen sa më të shpejtë të liderëve të Kosovës nga Haga dhe ajo luftoi gjithë jetën e saj për të dëshmuar në vetë të parë se kush ishte agresori që shkaktoi genocidin në Kosovë.
Uroj që shpirti i Dr. Brovinës të prehet në paqen e zotit dhe veprimtaria e saj të mësohet me breza në Kosovë dhe Shqipëri”, shkruan ajo.

