FOTOT: Vijon në Tiranë konferenca shkencore ndërkombëtare “Kalimi i kufirit Shqipëri–Kosovë (Jugosllavi) gjatë viteve 1944–1991: Analizë dypalëshe e dimensionit politik dhe njerëzor”

15 Shtator 2026, 14:37Kulturë TEMA
FOTOT: Vijon në Tiranë konferenca shkencore ndërkombëtare

NJË POPULL NË DY ANËT E KUFIRIT: VIKTIMAT DHE FAMILJET E NDARA NGA DY REGJIME KOMUNISTE

Tiranë, 15 shtator 2026 – Po vijon në Tiranë konferenca shkencore ndërkombëtare “Kalimi i kufirit Shqipëri–Kosovë (Jugosllavi) gjatë viteve 1944–1991: Analizë dypalëshe e dimensionit politik dhe njerëzor”, ku studiues nga Shqipëria dhe Kosova po ballafaqojnë dokumente arkivore, burime diplomatike dhe dëshmi personale mbi pasojat politike dhe njerëzore të një kufiri që nuk ndau dy popuj, por shqiptarët në të dyja anët e tij.

Dy shtetet nuk ishin në luftë, por për njeriun që tentonte të kalonte kufirin, ajo vijë funksiononte si front lufte. Të vrarë, të plagosur, të burgosur, të internuar e të zhdukur, por edhe familje të ndara për dekada, të survejuara dhe të stigmatizuara – ky është dimensioni njerëzor që po vendoset në qendër të diskutimeve.

Konferencën e hapi Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, e cila e vendosi në qendër pikërisht njeriun dhe familjen e ndarë nga kufiri.

Duke sjellë historinë e gjyshes së saj, Refikës, dhe motrës së saj të martuar në Pejë, të cilat, megjithëse të afërta gjeografikisht, u takuan vetëm një herë në disa dekada, Sula solli përvojën e shumë familjeve shqiptare për të cilat kufiri e ktheu takimin familjar në privilegj dhe udhëtimin në objekt dyshimi.

“Dhuna e kufirit matet edhe me takimet që nuk ndodhën, familjet që u ndanë dhe njerëzit që, për dekada, pritën dikë të vinte nga ana tjetër”, nënvizoi Kryetarja e AIDSSH-së. Mesazhi i saj ishte se hapja dhe ballafaqimi i arkivave duhet të shërbejnë për të emërtuar viktimat dhe për t’i rikthyer historisë përvojën e familjeve.

Në vijim, Prof. Dr. Naim Berisha, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shkencor të Institutit
Albanologjik të Prishtinës, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Tiranës dhe Prishtinës dhe nevojën për thellimin e tij përmes kërkimit të përbashkët. Ai u ndal veçanërisht te rëndësia e studimit të kufirit Shqipëri–Kosovë, jo vetëm si vijë politike dhe territoriale, por si një hapësirë që ndikoi drejtpërdrejt në jetën dhe marrëdhëniet e shqiptarëve në të dyja anët.
Prof. Dr. Teuta Shala-Peli, Drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e krijuar me Autoritetin e Dosjeve dhe perspektivën për ta thelluar atë më tej, veçanërisht në fushën e studimit dhe kërkimit shkencor.

Ballafaqimi i burimeve të ruajtura në Tiranë dhe Prishtinë krijon mundësi për të plotësuar boshllëqe dhe për të ndërtuar një histori më të plotë të marrëdhënieve dhe përvojave në të dyja anët e kufirit.

Në punimin e saj tematik, Dr. Gentiana Sula u ndal te dallimi thelbësor ndërmjet rrjetit sekret të ngritur nga një diktaturë për kontrollin e shoqërisë dhe funksionimit të shërbimeve informative në një shtet demokratik, duke e vendosur dokumentacionin e ish-Sigurimit në kontekstin e mekanizmave të survejimit dhe represionit të regjimit.

Z. Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, solli më tej një analizë të strukturës dhe përmasës së arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit. Punimi i tij argumenton se dokumentet nuk mund të interpretohen të shkëputura nga institucionet që i prodhuan dhe nga mënyra se si funksiononte vetë aparati i Sigurimit.

Analiza e paraqitur nga Hoxha evidenton një të dhënë me rëndësi për studimin e këtij arkivi: dokumentacioni i ish-Sigurimit të Shtetit i identifikuar dhe evidentuar deri më sot arrin në 7.339.347 fletë arkivore.

Prej tyre, 5.079.044 fletë, ose 69,2%, kanë si burim SHISH; 2.240.958 fletë, ose 30,53%, Ministrinë e Brendshme; dhe 19.345 fletë, ose 0,26%, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Por një nga përfundimet me rëndësi të punimit është se 7,3 milionë fletët e identifikuara nuk mund të konsiderohen automatikisht si i gjithë dokumentacioni i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.
8.000 Fragmentimi institucional dhe lëvizja e dokumentacionit pas vitit 1991 e bëjnë të domosdoshëm rikompozimin e kontekstit të arkivit. Sipas punimit, vlera e tij nuk matet vetëm me numrin e dosjeve apo fletëve të ruajtura, por edhe me aftësinë për të rindërtuar marrëdhënien ndërmjet dokumentit, strukturës që e prodhoi dhe historisë që ai dëshmon.

Në këtë proces kërkimor një burim i rëndësishëm është edhe “Fondi Kosova”, i hapur nga AIDSSH për studiuesit në vitin 2025, me 11.630 fashikuj. Drejtoria e Arkivit ka evidentuar,
ndër të tjera, 2.171 faqe mbi demonstratat e viteve 1981–1982, raportimet nga Beogradi dhe zhvillimet politike në Kosovë. Fondi ruan gjithashtu dokumente mbi arrestimet, dhunën dhe torturat ndaj shqiptarëve, shpërnguljet e detyruara dhe forma të tjera të represionit shtetëror.
Dy panelet e para të konferencës tashmë janë përmbyllur, me diskutime mbi kufirin si mekanizëm politik, ideologjik dhe biopolitik, marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë/Jugosllavi, dokumentet arkivore, historiografinë, kujtesën dhe edukimin e brezave të rinj.

Konferenca po vijon me panelin e tretë, “Individët ndërmjet dy regjimeve”, ku në qendër vendosen përndjekja dhe përvoja njerëzore: nga rasti i albanologut Selman Riza dhe emigracioni politik jugosllav, te dëshmia e ish-të burgosurit politik Nestor Topençarov dhe kujtesa e banorëve të zonave kufitare.

Në sfond të diskutimeve mbetet një çështje ende e hapur: Kush ishin personat e vrarë, të plagosur, të arrestuar, të dënuar apo të zhdukur gjatë kalimit të segmentit kufitar Shqipëri–Kosovë? Ku u varrosën dhe çfarë dokumentesh ruhen për ta në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd.@
Ballafaqimi i arkivave, dokumenteve dhe dëshmive familjare synon pikërisht këtë: që dokumentit t’i rikthehet emri dhe emrit historia njerëzore.

Konferenca vijon me kumtesat dhe diskutimet e panelit të tretë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje