Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Nafta 229 lekë, më shtrenjtë se në gjithë rajonin, PD akuza Qeverisë: Faji nuk është i luftës, por regjimi i Edi Ramës na vjedh me rritjen e taksave

Shkruar nga Newsbomb
Nafta 229 lekë, më shtrenjtë se në gjithë rajonin, PD
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo

Shqipëria dje shënoi çmimin prej 229 lekësh për një litër naftë ose 2.48 euro, duke u renditur e para në Ballkan dhe e dyta në kontinent, pas Danimarkës, me çmimin më të shtrenjtë. Partia Demokratike dënon këtë fakt dhe thotë se qytetarët po vidhen nga regjimi i Edi Ramës.

"Nafta 229 lekë nuk është thjesht një produkt dhe një çmim, por është një politikë e vjedhjes me anë të rritjes së taksave. Fakt është që secili nga vendet kufitare me ne nuk e ka ndryshuar çmimin as dje, as sot: Mali i Zi e shet me 1.87 euro, Kosova me 1.76–1.85 euro, Maqedonia e Veriut me 1.64 euro", u shpreh zëdhënësja Floriana Garo.

Partia Demokratike merr rastin e Ukrainës, që është vend në luftë, e ka çmimin e naftës 1.35 euro për litër. Por edhe vendet e rajonit e kanë më lirë naftën se në Shqipëri dhe sipas Partisë Demokratike, kjo vjen për shkak të politikave që këto vende ndjekin.

"Qeveria e Malit të Zi e ka ulur akcizën e naftës deri në 50% në kohë krizash. Serbia deri në 25% dhe ka aplikuar çmime tavan. Maqedonia e Veriut aplikon vetëm dy taksa kryesore, akcizë dhe TVSH, ndërsa taksa e qarkullimit merret direkt tek automjetet, dhe jo përmes çmimit për litër të karburantit, duke e mbajtur barrën fiskale më të ulët.

Kosova ka përdorur herë pas here rregullimin e përkohshëm të marzheve dhe çmimeve maksimale të tregtimit përmes vendimeve të ministrisë përgjegjëse për tregtinë. I vetmi që nuk pranon të marrë asnjë masë, por të vijojë të shtojë barrën fiskale për shqiptarët dhe familjet e tyre, është Edi Rama", vijon deklarata e zëdhënëses së PD.

Floriana Garo thekson se Partia Demokratike në fushatën elektorale të vitit 2025, premtoi përgjysmimin e taksave të karburantit, ndërkohë që këtë kërkesë ia ka drejtuar publikisht edhe qeverisë Rama. Sipas saj, në rast se do të ndiqej kjo politikë, çmimi i naftës sot do të ishte 1.71 euro për litër, pra në mesataren e rajonit dhe jo ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë.

Partia Demokratike i fton shqiptarët në protestë dhe thekson se ata duhet ta kenë të qartë se çdo ditë që kryeministri Edi Rama qëndron në pushtet, aq më shumë rritet rëndesa ekonomike për popullin dhe ulet siguria.

"Shqiptarët duhet të kuptojnë se përgjegjës për këtë gjendje nuk janë konfliktet botërore, siç gënjen Rama, sepse e njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe në Maqedoni dhe Kosovë. Përgjegjës për këtë gjendje është vetëm një njeri dhe e ka emrin Edi Rama.

Prandaj thirrja që demokratët, socialistët dhe të pavarurit t’i bashkohen protestës qytetare merr vlerë sot më shumë se kurrë. ‘Rama, jepe dorëheqjen’ dhe ‘zgjedhje të lira garantuar nga një qeveri kujdestare’, nuk janë ankesa dhe kërkesa, por domosdoshmëri kombëtare", përmbyllet deklarata.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese