Në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet drafti i PS për pagat e magjistratëve, ministri i Drejtësisë Toni Gogu kritikoi Kuvendin për humbjen e afatit të 31 korrikut për të miratuar formulën e re për pagat e magjistratëve. Megjithatë, ai tha se vonesa nuk mund të ndryshojë ndarjen e kompetencave mes pushteteve dhe se pagat përcaktohen me ligj nga Kuvendi.
“Është një çështje shumë e rëndësishme. Kuvendi e humbi afatin e 31 korrikut, kjo është një gjë që nuk ka nevojë të justifikohemi. Bylykbashi ngriti disa pikëpyetje për rolin ligjvënës, dhe ne jemi të hapur për përgjegjësinë që na takon për këtë proces.
Dua të them një gjë shkoqur, nuk besoj se vonesa e Kuvendit të sillte përplasje mes pushteteve. Edhe projektligji që vjen bën pikërisht këtë gjë, një ndreqje të një gabimi që është bërë. Thelbi është te pyetja se kush duhet të vendosë për pagat? Dhe këtë e thotë vetë Gjykata Kushtetuese, që e vendos vetë Kuvendi dhe e vendos me ligj”, tha Gogu.
Ministri theksoi se mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund t’ia kalojë kompetencën për pagat një institucioni tjetër.
“Një boshllëk ligjor, sado i krijuar prej nesh, nuk është një kompetencë e lirë që e merr kush mbërrin i pari. Përgjigjja ndaj vonesës sonë është që Kuvendi të bëjë detyrën e vet, jo që arkitektura kushtetuese të rishkruhet nga nevoja e momentit”, tha Gogu.
Lajmi kryesor:
Pagat e magjistratëve/ Ligjet miratojnë formulën e PS me 8 vota pro, 3 kundër! Institucionet dhe shoqatat e drejtësisë e kundërshtojnë, i bashkohet PD









