Publikova një shkrim për ngritjen e Muzeut Hebraik në Vlorë dhe nga patriotët folkloristë e konspiracionistë të Facebook-ut filluan pyetjet retorike dhe argumentet kundër ngritjes së tij.
Komentuesit ose nuk e kishin lexuar, ose nuk e kishin kuptuar shkrimin.
Gjithsesi njëri nga argumentet ishte: “Ne i shpëtuam hebrenjtë, prandaj ata duhet të ndërtojnë një muze për Vlorën në Tel Aviv!”.
Por ky argument duket logjik vetëm nëse një muze e trajtojmë si faturë mirënjohjeje.
Historia nuk funksionon kështu.
Ne nuk kemi pse të ndërtojmë një muze hebraik në Vlorë sepse “ua kemi borxh” hebrenjve, dhe hebrenjtë nuk kanë pse të ndërtojnë një muze të Vlorës në Tel Aviv sepse “na e kanë borxh”. Një muze nuk është shpërblim, dëmshpërblim apo kthim borxhi. Është kujtesë.
Nëse një familje vlonjate fshehu një familje hebreje gjatë Holokaustit, ajo histori është edhe histori e hebrenjve, edhe histori e asaj familjeje shqiptare, edhe histori e Vlorës.
Yad Vashem dokumenton konkretisht raste të tilla në Vlorë, ndërsa familje shqiptare u njohën për shpëtimin e hebrenjve.
Pyetja e drejtë që shtrohet në këtë rast nuk është: “Kush duhet t’i jetë mirënjohës kujt?”, por: “A duam ta ruajmë këtë histori apo jo?”
Dhe nëse përgjigjja është po, atëherë një muze hebraik në Vlorë ka kuptim pikërisht sepse tregon një kapitull të historisë së Vlorës: praninë hebraike, bashkëjetesën, persekutimin nazist dhe mënyrën se si shqiptarët, në rrethana ekstreme, mbrojtën njerëz që rrezikonin jetën.
Një muze i tillë nuk do të ishte vetëm “Muze Hebraik”. Do të ishte edhe një muze i Vlorës, sepse do të tregonte se çfarë bënë vlonjatët kur historia i vuri përballë zgjedhjes më të vështirë: të dorëzonin njeriun apo ta mbronin.
Sa për pretendimin se hebrenjtë kanë qenë në Shqipëri prej shekujsh, ai nuk duhet as të pranohet verbërisht, as të hidhet poshtë me një “nuk është e vërtetë”. Ka dëshmi për prani hebraike shumë më të hershme se Lufta e Dytë Botërore.
Për Vlorën, burimet e Yad Vashem përmendin një traditë sipas së cilës hebrenj në Vlorë, Berat e Elbasan jetonin në Shqipëri që nga rreth viti 1490, ndërsa disa kishin ardhur nga Janina.
Pra, një muze serioz duhet të bëjë pikërisht këtë: të ndajë faktin nga legjenda, dokumentin nga folklori dhe historinë nga propaganda.
Lini një Përgjigje