
Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë kundërshtuar formulën e propozuar nga mazhoranca për ndryshimin e pagave të magjistratëve, duke argumentuar se rritja e parashikuar nuk përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike po zhvillohen dëgjesat për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku në fokus është edhe mënyra e re e përllogaritjes së pagave të magjistratëve.
Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues për Kuvendin dhe se ligjvënësi nuk ka hapësirë për të shmangur standardin e përcaktuar prej saj.
Sipas Pandës, problemi qëndron te formula që parashikon rritjen e pagës referuese nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës.
“Çështja nuk është nëse Kuvendi duhet të ndërhyjë, por nëse zgjidhja e propozuar realizon standardet detyruese që lindin nga vendimi i Kushtetueses, i cili nuk përbën orientim, por detyrim për ligjvënësin”, deklaroi Panda.
Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar një referencë dinamike, e cila lidhet me një pagë që pëson rritje periodike dhe që garanton ruajtjen reale të nivelit të mbrojtjes financiare të magjistratëve.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë propozon që koeficienti 0.38 të mos përcaktohet në mënyrë fikse në ligj, por të krijohet një mekanizëm që garanton zbatimin e standardit kushtetues edhe në të ardhmen.
Gjykata e Lartë kërkoi gjithashtu që të bëhet një ndarje e qartë mes rregullimit të pagave për të ardhmen dhe pagesave të prapambetura, duke kërkuar që ndryshimet të mos prodhojnë automatikisht efekte mbi funksionarë të tjerë publikë.
“Kuvendi ka hapësirë për të zgjedhur formulën, por jo për të mos zbatuar standardin kushtetues. Ligji i ri duhet ta zgjidhë çështjen për të ardhmen, por pa fshirë pasojën e vendimit të Kushtetueses”, u shpreh Panda.
Kundër formulës së mazhorancës doli edhe kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani. Ajo e cilësoi rritjen e parashikuar si minimale në raport me përllogaritjet e bëra nga vetë KLP-ja.
“Në referim të atij informacioni që kemi marrë për një rritje 0.02%, pra një rritje që është minimale krahasuar me atë që ka përllogaritur vetë Këshilli, do të thoja se ka një diferencë shumë të madhe”, tha Bogdani.
Sipas saj, drafti i propozuar nga mazhoranca parashikon një rritje prej rreth 8,500 lekësh të pagës referuese, ndërsa përllogaritjet e KLP-së e vendosin diferencën në rreth 80 mijë lekë./Versus.al

