Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariç, gjatë një vizitë në qytetin e Pogradecit, ka komentuar protestat që po mbahen më shumë se 100 ditësh në vendin tonë. Ai tha se protestat janë një e drejtë e qytetarëve për të shprehur shqetësimet e tyre.
“Protesta është një e drejtë e qytetarëve, aty nuk është diskutimi kanë apo nuk kanë të drejtë, por qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre”, tha ai.
Po ashtu, diplomati i huaj i dha një mesazh edhe qeverisë, të cilës i bëri thirrje që të dgjojë thirrjet e qytetarëve.
“Ky është një mesazh për qeverinë. Çdo qeveri duhet të marrë mesazhin që i shkon në aspektin politik. Kjo është edhe për të parë edhe se sa sensitivë janë njerëzit në Shqipëri, në aspektin ekologjik, në aspektin e qeverisjes dhe institucione të ndryshme”, deklaroi diplomati.
Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, ambasadori Kramariç tha se vendi ynë duhet të fokusohet tek reformat, që sipas tij bëhen për të mirën e vendi. Ndërsa më tej ai bëri thirrje edhe për ndryshimin e disa ligjeve.
“Është ajo që kam diskutuar edhe me të rinjtë, që reformat nuk duhet të shikohen si tip gjobash, pra nuk duhet të shikohen si e kërkon Brukseli dhe duhet bërë, sepse mbi të gjitha janë qytetarët që jetojnë në këtë vend. Ndonjëherë ka nevojë dhe për kompromise, marrëveshje. Ndonjëherë të ndryshojë edhe ligji që të gjithë të ndihen të përfshirë, ligji nuk duhet të bëhet selektiv vetëm për një pjesë të qytetarëve. Është fjala që për dikë lejohet dhe për dikë nuk lejohet. Në këtë kontekst, këto reforma, procesi që kryhet nga BE, janë në dobi të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
