Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Gjykata e Brazilit MIRATON ekstradimin e Ervin Matës, kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë “bolin e kokainës”

Shkruar nga Newsbomb
Gjykata e Brazilit MIRATON ekstradimin e Ervin Matës, kushtet që
Ervin Mata

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar unanimisht kërkesën e vendit tonë për ekstradimin e Ervin Matës, ky vendim mësohet të jetë marrë nga trupi i parë i gjykatës në një seancë virtuale të zhvilluar nga 14 deri më 21 gusht të këtij viti.

Në vendimin e marrë, gjykata braziliane ka përcaktuar se dokumentacioni i paraqitur nga autoritetet shqiptare plotëson kushtet ligjore për ekstradim. Kjo lidhet me procedimin penal në Shqipëri, për akuza të cilat përfshijnë trafikimin e lëndëve narkotike, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Por ajo nuk ka gjykuar nëse Ervin Mata, është apo jo fajtor për veprat penale që i atribuohen, duke shpjeguar në vendim se në procedurat e ekstradimit kontrolli i saj është i kufizuar dhe nuk përfshin rigjykimin e fakteve, autorësisë apo provave të çështjes penale. Sipas vendimit, bëhet vetëm një vlerësim paraprak juridik për të përcaktuar nëse plotësohen kushtet për ekstradim. Gjykata konstaton se ekziston parimi i dënueshmërisë së dyfishtë, se veprat nuk janë parashkruar dhe se nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore për ekstradimin.

Ky ekstradim është miratuar si një procedurë hetimore, pra për t’iu nënshtruar procedimit penal në Shqipëri dhe jo ekzekutimin e një dënimi të formës së prerë.

Megjithatë, Ervin Mata nuk i dorëzohet automatikisht autoriteteve shqiptare. Vendimi përcakton se dorëzimi varet nga vendimi diskrecional i Presidentit të Brazilit. Dhe përpos kësaj Shqipëria duhet të formalizojë garancitë e parashikuara në ligjin brazilian, ku mes të tjerash fakti që Mata të mos ndiqet penalisht për një fakt tjetër të mëparshëm nga ai për të cilin është kërkuar ekstradimi, t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim në Brazil dhe të mos i nënshtrohet torturës apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose degradues.

Po ashtu në dosjen që posedon gjykata e Brazilit, përfshihen edhe të dhëna të siguruara nga komunikimet e aplikacionit Sky ECC. Ku ndër të tjera paraqitet një paterial i viti 2020, ku përdoruesi me identifikuesin GS4TDD, i identifikuar si Ervin Mata komunikonte për transpirtin e një sasie prej 250 kilogramësh kokainë nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani.

Në një komunikim të 29 shtatorit 2020, në dosje përmendet se Mata fliste për sekuestrimin e 240 njësive të mallit në Frankfurt. Në një tjetër bisedë, ai shprehet se “të gjitha mallrat e mia u sekuestruan në Frankfurt, në doganë”, ndërsa përmendet edhe dërgimi i parave përmes personave të tjerë.

Kush është Ervin Mata?

“Boli” siç njihet ndryshe  është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i lidhur prej vitesh me hetime për krim të organizuar dhe trafik narkotikësh. Emri i tij u bë i njohur për publikun pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku gjatë një përplasjeje me armë mes grupeve rivale kriminale humbi jetën Fabian Gaxha.

Sipas hetimeve të SPAK, Mata dyshohet si një nga organizatorët kryesorë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, që shtrihej nga Shqipëria drejt Amerikës së Jugut dhe disa vendeve të Bashkimit Europian.

Ervin Mata u shpall në kërkim në Nëntor 2023, pas 11 urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, për një grup kriminal që vepron në trafikun e kokainës dhe hashashit nga Amerika Jugut, vrasjeve dhe pastrimit të parave.

Në muajt e parë të vitit 2023, media periferike raportuan se ish-partneri i këngëtares Elvana Gjata dhe një ndër personat e përfshirë në ngjarjen që mori emrin si "Masakra e ish-Bllokut", ishte zhdukur pa gjurmë në Bolivi. Mediat aluduan se disa muaj pas zhdukjes pa gjurmë së Ervis Martinaj, edhe Ervin Mata kishte pasur të njëjtin fat në Bolivi.

Mirëpo, hetimet, akuzat dhe bisedat e transkriptuara që SPAK ka siguruar nga autoritetet evropiane kanë nxjerr nga "strofulla" biznesmenin nga Tirana. Ervin Mata ishte pjesë me grupin e djalit të Erzen Breçanit dhe kishte komunikime të vazhdueshme në rrjetin e komunikimit “SKY”.

Menjëherë pasi ndaj tij u lëshua urdhër-arrest ndërkombëtar, u publikua dhe një video e fundit e Ervin Matës nga arratia. Pamjet rrëzuan pretendimet se biznesmeni nga kryeqyteti ishte zhdukur në Bolivi dhe asgjë nuk dihej në fatin e tij, sepse vetë Ervin Mata tregonte të kundërtën në kamera.

Nga ish-Blloku te krimi i organizuar:

Emri i tij u bë publik për herë të parë pas ngjarjes së rëndë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, më 4 tetor 2018. Gjatë një përplasjeje me armë në lokalin “Monopol”, u vra Fabjol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt, një tjetër emër i njohur në botën e krimit, i zhdukur në rrethana misterioze që prej gushtit 2022. Po atë natë mbetën të plagosur vetë Martinaj dhe Eljon Hato.

Fillimisht u raportua se konflikti kishte shpërthyer për shkak të një ngacmimi ndaj këngëtares Elvana Gjata, e cila ndodhej në shoqërinë e Matës. Por më vonë, hetimet zbuluan një tjetër prapaskenë, një përplasje për një sasi të konsiderueshme kokaine, që sipas autoriteteve ishte në pronësi të Eldi Dizdarit, drejtues i njohur i “Kartelit Bello”, i cili aktualisht ndodhet në Dubai.

Atë kohë sherri nisi mes mes komandos Merviol Bilo dhe Eljon Hatos të cilët janë zënë për rreth 30 sekonda me grushta, ndërsa pak më tutje po ziheshin Ervis Martinaj dhe Ervin Mata.

Në një moment viktima Fabjol Gaxha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar duke bërë që komando Merviol Bilo t’i përgjigjet po ashtu me armë duke qëlluar fillimisht Eljon Haton dhe më pas mbi personat e tjerë, ku Gaxha mbeti i vetmi i vdekur.

Pas përplasjes me armë Mervjol Bilo dhe Ervin Mata ishin të kërkuar nga drejtësia. Mata u vetëdorëzua pak ditë më pas, duke mohuar të ishte ai autori i vrasjes dhe se atë e kishin sulmuar.

Marrëdhënia me Elvana Gjatën:

Në vitin 2017, Ervin Mata ishte fejuar me këngëtaren e njohur shqiptare Elvana Gjata, pas një lidhjeje disa-vjeçare. Lidhja e tyre ishte mbajtur diskrete, megjithëse këngëtarja kishte folur në mënyrë të tërthortë për të në intervista publike, duke përshkruar partnerin si "një fat të mirë" që i kishte dhuruar Zoti.

“Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë”, thoshte Elvana asokohe, deklaratë e cila u interpetua në rrjet se ishte pikërisht për Matan.

Pas përfshirjes së Matës në çështje penale dhe hetime të thelluara, edhe emri i këngëtares do të dilte në skenë më vonë, për shkak të një bisede të përgjuar në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC.

Dosja “Metamorfoza”, rrjeti i kokainës dhe urdhër-arresti nga SPAK:

Më 20 nëntor 2023, SPAK firmosi një urdhër-arrest ndaj Matës, si pjesë e një operacioni të madh antidrogë të koduar “Metamorfoza”. Nga hetimet rezultoi se ai kishte trafikuar rreth 250 kg kokainë nga Brazili drejt Gjermanisë, përmes aeroportit të Frankfurtit. Në bisedat e përgjuara, Mata shprehej se një pjesë e ngarkesës ishte sekuestruar,  konkretisht 240 kg dhe parashikonte që lajmi të bëhej publik ditën pasuese.

Këto të dhëna çuan në ndalimin e disa personave të tjerë, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe zyrtarin e lartë të policisë, Oltion Bistri.

Lidhjet me strukturat shtetërore:

Një tjetër dimension i rëndësishëm i dosjes ishte përfshirja e disa figurave të njohura të Policisë së Shtetit. Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, dhe ish-shefi i Krimeve në Komisariatin Nr. 6, Dedan Gjoni, u akuzuan nga SPAK si të dyshuar për pastrim parash dhe ndihmë ndaj grupit kriminal.

Përveç lidhjeve miqësore dhe bashkëpunimit, Breçani dhe Mata janë të lidhur edhe përmes krushqisë, pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Matës. 

 

Gjykata e Brazilit MIRATON ekstradimin e Ervin Matës, kushtet që
 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese