POLITIKË /

Protestat në Shqipëri, ambasadori kroat: Shenjë e një demokracie të shëndetshme, pakënaqësitë e qytetarëve të dëgjohen!

Sipas ambasadorit kroat, një qeveri serioze duhet t'i marrë me përgjegjësi mesazhet që vijnë nga protestat dhe t'u përgjigjet përmes dialogut politik dhe jo përmes dhunës.

Shkruar nga Versus

Protestat në Shqipëri, ambasadori kroat: Shenjë e një

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramarić, ka deklaruar se protestat qytetare, përfshirë ato në sektorin e arsimit, janë tregues i një demokracie të shëndetshme dhe të konsoliduar. Ai kërkoi që pakënaqësitë e qytetarëve të dëgjohen dhe të adresohen përmes dialogut, argumenteve dhe komunikimit.

Gjatë një prononcimi për mediat, Kramarić theksoi se e drejta e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur shqetësimet e tyre duhet të respektohet, pavarësisht nëse kërkesat e tyre konsiderohen të drejta apo jo.

Sipas ambasadorit kroat, një qeveri serioze duhet t'i marrë me përgjegjësi mesazhet që vijnë nga protestat dhe t'u përgjigjet përmes dialogut politik dhe jo përmes dhunës.

Kramarić i cilësoi protestat edhe si një tregues të sensibilizimit të shoqërisë shqiptare ndaj çështjeve me rëndësi, duke përmendur mjedisin, pastërtinë, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve.

Ai u ndal edhe te procesi i reformave, duke theksuar se ato nuk duhet të perceptohen si një detyrim i imponuar nga Brukseli, por si ndryshime që bëhen në interes të qytetarëve shqiptarë.

“Reformat nuk bëhen sepse dikush tjetër, apo sepse Brukseli, i kërkon. Ato bëhen mbi të gjitha në të mirë të qytetarëve të këtij vendi”, u shpreh ambasadori.
Sipas Kramarić, reformat mund të kërkojnë sakrifica dhe kompromise, por qëllimi i tyre është ndryshimi i rregullave në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe që ky i fundit të mos zbatohet në mënyrë selektive./Versus.al

 

Poll