Një vepër monumentale kushtuar Mbretëreshës Teuta i është shtuar peizazhit të Shëngjinit. Shtatorja rreth 9 metra e lartë është vendosur në ballkonin panoramik të qytetit, në zonën e Ranës së Hedhun, përgjatë aksit rrugor Shëngjin–Velipojë.
Vepra është ideuar me nismën e gazetarit Marin Mema, realizuar nga skulptori Julian Muçollari dhe financuar nga shqiptarë të diasporës. Vendosja e saj u shoqërua me një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, historianë, arkeologë, studiues, qytetarë dhe të ftuar të shumtë.
Gjatë ceremonisë, pjesëmarrësit vlerësuan figurën e Mbretëreshës Teuta si një simbol të rëndësishëm të historisë së lashtë shqiptare, ndërsa e konsideruan shtatoren edhe si një element që mund të pasurojë më tej ofertën turistike të zonës.
Gazetari Marin Mema, një prej nismëtarëve të projektit, u shpreh se kjo vepër duhet të jetë vetëm fillimi i një serie monumentesh që rikthejnë në vëmendje figurat dhe ngjarjet e rëndësishme të trashëgimisë kombëtare.
“Uroj shumë që ky të jetë vetëm hapi i parë i një sërë monumentesh që duhet, e ripërsëris, duhet të ndërtohen për të rikujtuar trashëgiminë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Nëpërmjet tyre, ne ruajmë dhe përcjellim te brezat e ardhshëm historinë dhe vlerat tona kombëtare”, u shpreh Mema.
Historiani Paulin Zefi e cilësoi shtatoren një nismë që mund të shërbejë si shembull edhe për qytete të tjera të Shqipërisë, me qëllim vendosjen në hapësirat publike të figurave të rëndësishme të antikitetit ilir.
“Nëpërmjet kësaj vepre që kemi vendosur këtu, ne hapim për herë të parë një figurë të një mbretëreshe ilire të lirë. Urojmë që kjo nismë e jona të shërbejë si shembull edhe për qytete të tjera, për të vendosur figura të tjera të rëndësishme të antikitetit, pra mbretër dhe mbretëresha ilire, edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, theksoi Zefi.
Në ceremoninë e zbulimit foli edhe arkeologu Neritan Ceka, i cili e lidhi vendosjen e veprës me zhvillimin turistik të zonës dhe me rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike.
“Me këtë skulpturë të vendosur atje, ku po zhvillohet një turizëm modern, një turizëm europian, një turizëm i së ardhmes, besoj se ruhet dhe përcillet kjo trashëgimi e një kryeqyteti jo politik, por një kryeqyteti të kulturës, kryeqyteti të qytetarëve dhe kryeqyteti të turizmit”, tha Ceka.
Shtatorja u vlerësua edhe nga kryebashkiakët e Lezhës dhe Shkodrës, Pjerin Ndreu dhe Benet Beci, të cilët e cilësuan atë një pikë takimi mes trashëgimisë historike dhe zhvillimit bashkëkohor të kësaj zone bregdetare.
“Lezha, përveç të tjerave, përveç aseteve të pafundme turistike që ka dhe përveç një turizmi që po zhvillohet gjithnjë e më shumë, ka edhe një arsye më shumë për ta vizituar: kjo është statuja e jashtëzakonshme e mbretëreshës Teuta”, theksoi Ndreu.
Ndërsa kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, e vuri theksin te lidhja turistike dhe historike mes qyteteve të veriut dhe bregdetit.
“Është një aks i përbashkët ku Shkodra, Ulqini, Lezha, Durrësi dhe gjithë bregu tashmë janë jo vetëm një aks krenarie, historie e luftërash, por sot janë edhe një aks i bukur turizmi, bashkëpunimi dhe zhvillimi”, tha Beci.
Me vendosjen e saj në Shëngjin, figura monumentale e Mbretëreshës Teuta synon të kthehet në një pikë të re referimi për vizitorët, duke ndërthurur historinë dhe identitetin ilir me zhvillimin turistik të zonës.


