Me 8 vota pro nga socialistët dhe 3 kundër nga demokratët, Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet ligjore për rritjen e pagave të magjistratëve.
Miratimi i draftit i hap rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij të enjten në seancë plenare.
Me kërkesë të Partisë Demokratike dhe me dakordësinë e mazhorancës, në komision u thirrën për t’u dëgjuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të cilët kundërshtuan formulën e propozuar nga qeveria.
Në emër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetarja Mirela Bogdani u shpreh kundër formulës së mazhorancës. Në të njëjtën linjë ishte edhe zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.
Më i ashpër në qëndrimin e tij përpara deputetëve ishte kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të negociohet, ndërsa nuk është lejuar të flasë nga Ulsi Manja i cili ka urdhëruar ti fiket mikrofoni.
Po ashtu, kundër draftit u rreshtua edhe opozita, e cila kërkoi rrëzimin e ndryshimeve dhe kritikoi qeverinë për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.
Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë nisi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.
Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën që, nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, duke i shtuar edhe 14 mijë lekë për kualifikimin.














