E martë, 15 Shtator 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

PS: Pagat në drejtësi rriten 0.02 %! PD voton kundër, magjistratët: Do ta godasim në Gjykatën Kushtetuese  

Ilustrim · Vizion Plus

Beteja mes mazhorancës qeverisëse dhe sistemit të drejtësisë për çështjen e pagave u zhvendos në Parlament, në komisionin e ligjeve ku u diskutua projektligji për rritjen e rrogave të gjyqtarëve e prokurorëve.

Mbledhja zgjati 5 orë dhe Partia Socialiste e ndryshoi 3 herë brenda kësaj mbledhje projektligjin për pagat e gjyqtarëve.

Në fillim të mbledhjes u paraqit propozimi i socialistes Aulona Bylykbashit që u rriste pagën gjyqtarëve dhe prokurorëve me 0.02%; ndërkohë që pagën e SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme e rriste 80%; pagën e Gjykatës së Lartë e rriste 85% dhe pagën e Gjykatës Kushtetuese po 85%.

Në mes të mbledhjes socalisti Ermal Pacaj paraqiti një version të ri.

Dhe në fund të mbledhjes u paraqit nga Ermal Pacaj një draft i tretë. Ky draft hiqte rritjen e pagës në nivelin 80 dhe 85% për SPAK-un, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Drafti hoqi edhe shtesën prej 2% për cdo vit eksperiencë për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjithashtu socialistët u kujdesën që të saktësojnë se kjo rritje nuk do të aplikohet për zyrtarët, paga e të cilëve lidhet me pagën e gjyqtarit.

Projektligji final parashikon vetëm rritjen e pagës për të gjithë gjyqtarët e prokurorët në masën 0.02% dhe mori mbështetjen e 8 deputetëve socialistë ndërkohë që demokratët votuan kundër.

“Qeveria vendos që me arrogancë të injorojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është hera e parë? Jo! Nuk e di e sata herë është që qeveria vendos të refuzojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “E dimë ne! Madje, madje bllokojmë dhe pagat!” Mjafton ta lexosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kupton që propozimi që ka ardhur sot në të tre format që erdhi sot nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit të ligjeve, PD.

“Është Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ai që jep autorizimin ligjor dhe nuk thotë Gjykata Kushtetuese që ka një organ tjetër që mund të disponojë sipas Kushtetutës prekjen e buxhetit të shtetit përvec se me ligj të Kuvendit”, tha Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve, PS.

Demokratët nuk ishin të vetmit që kundërshtuan projekt-ligjin e hartuar nga socialistët. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gjykata e Lartë, Shoqatat e prokurorëve dhe Gjytarëve dhe kanë deklaruar se kjo formulë nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Qëllimi nuk është thjesht miratimi i një ligji, por miratimi i një ligji që zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Ilir Panda, Gjykata e Lartë.

“Formula e sjellë në këtë projekt është shumë larg asaj formule e cila tashmë ka hyrë në fuqi, e them kjo formulë ka hyrë në fuqi”, u shpreh Engert Pëllumbi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.

Dhe paralajmërimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve ishte i qartë, beteja me qeverinë nuk përfundoi sot.

“Sepse gjykatësit dhe prokurorët do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese të kërkojnë zbatimin e atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe gjasat janë, pa bërë profetin, që vendimi do të jetë i njëjtë”, u shpreh Gerd Hoxha, Unioni i Gjyqtarëve.

Parlamenti ka parashikuar që projektligji për pagën e gjyqtarëve e prokurorëve të diskutohet në seancë të enjten në datë 17 shtator.

/vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.