AKTUALITET /

Kontejneri misterioz udhëtoi 62 ditë nga Brazili drejt Durrësit, detaje nga rrugëtimi i "mallit" të AMG Food

Shkruar nga Versus

Kontejneri misterioz udhëtoi 62 ditë nga Brazili drejt Durrësit,

Kontenieri frigoriferik i AMG Food në pronësi të Mondi Goxhajt ka bërë një rrugëtim prej 62 ditësh nga Brazili drejt Portit të Durrësit.

Hetuesit kanë nisur verifikimin e rrethanave të mbushjes së kontenierit me 37 pako kokainë, e fshehur mes mishit të pulës që importohej nga Brazili.

Sipas Policisë së Durrësit, kokaina e kapur, në rast se do të shitej në treg, do të kapte një vlerë rreth 2 milionë euro.

Dokumentacioni i ngarkesës e paraqiste atë si një kontejner me mish pule të ngrirë.

Hetimet po përqëndrohen dhe në sqarimin se ku u furnizua kontenieri me kokainë, në Brazil apo në ndalesat tranzitore dhe kush ishte personi ose grupi që do ta merrte ngarkesën në Shqipëri.

Hetimi duhet të përcaktojë gjithashtu, nëse droga është futur në kontejner pa dijeninë e importuesit apo nëse pas ngarkesës fshihet një skemë më e organizuar.

Rrugëtimi i kontejnerit

Rrugëtimi nisi në Itajaí, ku kontenieri doli bosh nga depoja e Maersk, Seara Hub Itajaí, më 14 korrik 2026. Më 29 korrik, ai hyri në terminalin JBS Terminais Itajaí, ndërsa më 5 gusht u ngarkua në anijen MAERSK LOTA / 632N.

Anija u nis nga Itajaí më 5 gusht në orën 15:20, duke nisur kështu pjesën kryesore të udhëtimit ndërkontinental. Pas afro 20 ditësh lundrim, MAERSK LOTA mbërriti në Port Tanger Med, Marok, më 24 gusht në orën 20:58.

Në Tanger Med, kontenieri u shkarkua dhe qëndroi në port për rreth 8 ditë, përpara se të ngarkohej në anijen LUNA MAERSK / 633E më 1 shtator. Kjo anije u nis më 2 shtator në orën 04:48, me destinacion Mesdheun Lindor.

Më 7 shtator, kontenieri mbërriti në Pire, Greqi, ku u shkarkua nga LUNA MAERSK. Pas rreth një dite e gjysmë, më 8 shtator, u ngarkua në anijen ushqyese (feeder) K OCEAN / 637N, e cila u nis nga Pireu më 9 shtator në orën 00:13.

Destinacioni final ishte Durrësi. Feeder-i K OCEAN mbërriti në portin e Durrësit më 12 shtator në orën 17:43. Kontenieri u shkarkua më 13 shtator në orën 11:49, ndërsa më 13 shtator në orën 23:00 doli nga terminali. Më 14 shtator, në orën 12:35, u regjistrua hyrja përfundimtare në terminalin e Durrësit.

Nga nisja e anijes së parë nga Itajaí, më 5 gusht në 15:20, deri në mbërritjen e KOCEAN në Durrës më 12 shtator në 17:43, kanë kaluar rreth 38 ditë e 2 orë nga nisja e parë detare deri në mbërritjen në portin shqiptar.

Por kontenieri nuk ka qenë vazhdimisht në det. Gjatë rrugës ka pasur qëndrime dhe operacione në portet e Tanger Med dhe Pireut, ku është shkarkuar dhe ringarkuar në anije të tjera.

Në total, nga dalja nga depoja në Itajaí më 14 korrik deri në hyrjen në terminalin e Durrësit më 14 shtator, udhëtimi i këtij kontenieri zgjati rreth 62 ditë.

Emri i AMG Food ishte bërë i njohur më herët për një tjetër çështje të rëndë.

Më 11 mars 2025, kompania importoi nga Brazili një ngarkesë me mish pule. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet dhe mediave, në analizat laboratorike u konstatua prania e bakterit Salmonella Typhimurium.

Sasia e referuar zyrtarisht në atë periudhë ishte rreth 7.9-8 tonë, ndërsa burime mediatike raportuan se ngarkesa totale e filetos së pulës mund të arrinte deri në 18.3 tonë.

Mishi kishte mbërritur në Portin e Durrësit më 11 mars.

AKU kishte marrë mostra për analiza dhe laboratori i ISUV nxori përgjigjen më 21 mars, duke konstatuar salmonelën.

Sipas kompanisë AMG Food, produkti ishte shitur te 154 klientë, ndërsa u siguruan faturat e shitjeve për të mundësuar gjurmimin dhe tërheqjen e tij.

AKU raportoi se rreth 4.5 tonë ishin tërhequr nga tregu, ndërsa pjesa tjetër po kërkohej në pika të ndryshme të vendit

Poll