Food & Drink

Hurmat po bëhen ushqimi i momentit/ Fruti mijëravjeçar po rikthehet si alternativë ndaj ëmbëlsirave të përpunuara!

Pas peshkut në konservë, gjizës, matcha-s dhe produkteve me shije turshie, industria ushqimore duket se ka gjetur një tjetër protagonist të papritur: hurmën.

Bon Appétit e quan atë një nga fenomenet ushqimore të vitit 2026, ndërsa të dhënat e tregut tregojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për disa receta virale në rrjetet sociale. Shitjet dhe numri i produkteve të ndërtuara rreth hurmave po rriten, ndërsa fruti po shfaqet në forma që shkojnë shumë përtej paketimit tradicional që njohim prej vitesh.

Në supermarket po shfaqen karamele me hurma të mbuluara me çokollatë, përzierje me gjalpë arrorësh, produkte për pjekje dhe madje pije që përdorin hurmën si një nga elementet kryesore. Sipas të dhënave të cituara nga Bon Appétit, produktet e lidhura me hurmat në dyqanet tradicionale amerikane regjistruan rritje prej 24.1% deri në mesin e vitit 2026.

Por pse pikërisht tani?

Një pjesë e përgjigjes lidhet me kërkesën për ushqime që ndodhen diku mes “të shëndetshmes” dhe kënaqësisë. Konsumatori dëshiron diçka të ëmbël, por njëkohësisht kërkon produkte që perceptohen si më natyrale dhe më pak të përpunuara. Hurma përshtatet shumë mirë në këtë hapësirë.

Ëmbëlsia natyrale e saj lejon që të përdoret si bazë për produkte që imitojnë karamelin. Kur kombinohet me çokollatë, gjalpë kikiriku, bajame apo kripë, mund të krijojë një produkt që duket si ëmbëlsirë tradicionale, por që ndërtohet rreth një fruti.

Në TikTok dhe Instagram kjo formulë ka funksionuar veçanërisht mirë. Për vite me radhë kanë qarkulluar receta ku hurmat mbushen me gjalpë kikiriku, mbulohen me çokollatë dhe prezantohen si alternativa ndaj çokollatave të njohura. Tani industria po e kthen atë që filloi në kuzhinat e përdoruesve në një kategori të mirëfilltë produktesh.

Por ka edhe një arsye tjetër pse hurma është interesante për kompanitë: është jashtëzakonisht fleksibël. Mund të përdoret për ëmbëlsi, si lidhës në një baton, si bazë për karamel, në smoothie, në ëmbëlsira apo thjesht si snack.

Dhe ndryshe nga shumë produkte që prezantohen si “zbulime” të reja, këtu kemi një paradoks të bukur. Hurmat janë ndër frutat më të vjetra të kultivuara nga njerëzit dhe kanë qenë pjesë e ushqimit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut prej mijëra vitesh.