Kryeministri Edi Rama ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen për herë të katërt kryeministër i Kosovës, duke u zotuar për bashkëpunim. Në letrën e Ramës, konfirmohet gatishmëria e tij për “bashkëpunim të gjithanshëm” me Qeverinë e Kosovës.
"Mandati Juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses. Gjithashtu, e shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të Qeverisë që unë drejtoj, për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejt Shtëpisë së Përbashkët Evropiane.
Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkruhet në letrën e kryeministrit Edi Rama.
Ai e ka ftuar Albin Kurtin për vizitë në Shqipëri, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Zgjedhja e Albin Kurtit kryeministër dhe Qeverisë së tij, sikurse edhe konstituimi i Kuvendit, janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.
"Edhe një herë, me urimet e mia më të mira për përparimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës gjatë këtij mandati Tuaj të ri dhe, sërish, me ftesën time të përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, pranoni, Ju lutem, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë", përmbyllet letra.
