Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sekuestrimi i 41 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit, të gjetura në një kontejner frigoriferik që transportonte mish pule nga Brazili drejt Shqipërisë.
Ngarkesa u zbulua gjatë kontrolleve në port, ndërsa droga ishte fshehur në pjesën e jashtme të kontejnerit. Sipas të dhënave të bëra publike, kontejneri kishte nisur udhëtimin nga Brazili dhe, përpara mbërritjes në Shqipëri, kishte kaluar tranzit edhe përmes Greqisë. Ngarkesa me mish pule ishte porositur nga kompania AMG Food, në pronësi të Mondi Goxhajt.
Por sipas raportimeve në media, sekuestrimi në Durrës është kryer në të njëjtën ditë me një operacion të zhvilluar në Belgjikë kundër një grupi shqiptar të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine.
Prokuroria e Antwerp-it ka konfirmuar se hetimi ndërkombëtar, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e disa shteteve dhe Europolin, ka prodhuar rezultate edhe jashtë Belgjikës. Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Antwerp-it, Kristof Aerts, një prej rezultateve të këtij bashkëpunimi ishte edhe sekuestrimi i 37 kilogramëve kokainë në Shqipëri, të fshehura në një kontejner frigoriferik.
Autoritetet belge kanë arrestuar tetë persona në kuadër të këtij hetimi. Mes tyre është edhe një shqiptar 48-vjeçar, i cili dyshohet se kishte rol ndërmjetësues mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe rrjeteve të trafikut të kokainës në Amerikën Latine.
Sipas hetuesve belgë, 48-vjeçari dyshohet se siguronte kontakte për importimin e sasive të mëdha të kokainës përmes portit të Antwerp-it, ndërsa komunikimet e tij dyshohet se shtriheshin edhe te grupe të tjera kriminale në Evropë dhe deri në Australi.
Identiteti i 48-vjeçarit nuk është bërë publik, por në kuadër të hetimit janë evidentuar kontaktet e tij me Gerd Gjinararin, i njohur me nofkën “Gjenerali” dhe i arrestuar në Belgjikë në muajin qershor.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet shqiptare se Gerd Gjinarari, i njohur si “Gjenerali”, ka lidhje me kokainën e sekuestruar në Portin e Durrësit. Lidhja mes dy ngjarjeve mbetet në kuadër të dyshimeve dhe verifikimeve që pritet të kryhen gjatë hetimit.
Po ashtu, deri më tani nuk është bërë i ditur asnjë arrestim në Shqipëri në lidhje me 41 kilogramët e kokainës së sekuestruar në port.
LEXO EDHE:
“AMG Food” e skandalit të Salmonelës, pronare e kontejnerit me mish pule ku u gjetën 41 kg kokainë
Nga Brazili, përmes Marokut e Greqisë/ Si arriti kontejneri me kokainë në Durrës, asnjë i arrestuar













