
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka njoftuar ditën e sotme se prej 1 janarit 2027, bonusi i pensionistëve do të dyfishohet.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimaj shpjegon se pensionistët që kanë pension të plotë, e që aktualisht marrin një bonus prej 1,800 lekësh, vitin e ardhshëm do të marrin 3,600 lekë. Rritja do të jetë e njëjtë dhe për të gjitha kategoritë e tjera.
“Pensionistët janë në qendër të politikave tona sociale dhe rritja e të ardhurave të tyre mbetet një nga prioritetet tona. Në vitin 2026 nisëm bonusin mujor, ndërsa nga 1 janari 2027 ai do të dyfishohet për të gjitha kategoritë e pensionistëve, krahas vijimit të indeksimit të pensioneve.
Për këtë mbështetje kemi parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit të ardhshëm, me objektivin që deri në vitin 2030 pensioni i plotë të mos jetë më pak se 40 mijë lekë dhe pensioni i pjesshëm jo më pak se 22 mijë lekë. Një angazhim konkret për të rritur, hap pas hapi, të ardhurat e pensionistëve.”- shkruan ministrja krah postimit.
Prej 1 janarit të vitit 2026, pensionistët përfitojnë bonus çdo muaj, sipas tre niveleve të diferencave:
800 lekë në muaj për pensionet deri në 22 000 lekë;
1,000 lekë në muaj për pensionet rurale deri në 18 000 lekë;
1,800 lekë në muaj për pensionet urbane deri në 40 000 lekë.
Me rritjen e njoftuar nga ministrja, prej 1 janarit të vitit 2027, bonusi do të jetë në vlerën:
1,600 lekë në muaj për pensionet deri në 22 000 lekë;
2,000 lekë në muaj për pensionet rurale deri në 18 000 lekë;
3,600 lekë në muaj për pensionet urbane deri në 40 000 lekë.

