Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e pafajësisë ndaj Ergys Kolaverit dhe ta kthejë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Vendimi është shpallur sot, ndërsa trupa gjyqësore ka urdhëruar që çështja të shqyrtohet nga një tjetër trupë gjyqësore në të njëjtën gjykatë.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda të vitit 2016, e cila e kishte dënuar Kolaverin me 20 vite burgim. Bëhet fjalë për një çështje që lidhet me atentatin e vitit 2016, kur nga jashtë ambienteve të burgut të Vaqarrit u qëllua me armë zjarri në drejtim të të burgosurve.
Objektiv i sulmit dyshohet se ishte Gazmir Daci, për motive që lidhen me gjakmarrjen, ndërsa i plagosur mbeti L. Dulaj, i cili, sipas hetimeve, rezultoi të ishte objektiv i gabuar i atentatit.
Kolaveri ishte akuzuar nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas akuzës, atentati dyshohej se ishte kryer për motive gjakmarrjeje ndaj Gazmir Dacit, i cili ishte përfshirë më herët në vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e rëndë të vëllait të tij. Për këto ngjarje, Daci ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 35 vite burgim.
Tashmë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja e Ergys Kolaverit do të rikthehet për shqyrtim në Apel, por nga një tjetër trupë gjyqësore.
Si ndodhi atentati në burgun e Vaqarrit













