Ishte gushti i vitit 2022, kur Gerry Cardinale mori drejtimin e Milanit në pozitën e presidentit, duke blerë të gjitha aksionet e klubit. Miliona të investuara, shumë ndryshime në stafin drejtues ku janë larguar emra me peshë dhe janë zëvendësuar nga të rinj, por ai vijon të jetë aty për të vetmin mision, ringritjen e kuqezinjve në nivelin ku i takon të jetë.
Sakaq, ambiciet e Cardinales duket se nuk kanë të ndalur. Sipas asaj që raporton “Calcio Finanzia”, amerikano-italiani ka hedhur sytë drejt Arabisë Saudite e më konkretisht tek Al Naasr. Edhe pse shanset raportohen të jenë minimale, ekziston një propozim në tavolinë, ndërsa kontakte mes palëve ende nuk ka patur.
Duhet thënë se parimisht, nëse ky transaksion do të kryhej me sukses, Liga saudite do të hynte në një proces të ri për privatizimin e klubeve. Sa i takon Al Nassr, është përfolur për probleme ekonomike dhe se një investitor më shumë do të lehtësonte ndjeshëm ekonominë e vetë klubit saudit, ku luan edhe Cristiano Ronaldo.
