Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka vijuar për të pestën ditë radhazi të kërkojë shpjegime nga SPAK lidhur me situatën penale të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi ngre shqetësimin se, edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga njoftimi i SPAK për marrjen e Ballukut të pandehur edhe për tre akuza të reja, në Kuvend nuk ka mbërritur një kërkesë e re për heqjen e imunitetit të saj, me qëllim arrestimin.
Sipas Bardhit, ndaj Ballukut rëndojnë tashmë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Këto, sipas tij, i janë shtuar akuzës së mëparshme për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me tetë procedura prokurimi me vlerë totale 1.2 miliardë euro.
Deputeti demokrat pretendon gjithashtu se provat e reja të hetimit kanë nxjerrë në pah dy vila që, sipas tij, janë mbajtur të fshehura dhe ndodhen në dy resorte luksoze në bregdet.
Bardhi i referohet edhe komunikimeve elektronike të Ballukut, duke pretenduar se në email-in e saj personal janë gjetur të dhëna që lidhen me pronat dhe mënyrën e arredimit të tyre.
“Akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit”, shprehet Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së rikthen në vëmendje edhe një qëndrim të mëparshëm të drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Braho, duke pretenduar se një standard i ngjashëm është zbatuar në dhjetor.
Në fund të reagimit, Bardhi i drejton SPAK-ut dy pyetje të drejtpërdrejta, duke e akuzuar institucionin se po bëhet pjesë e një loje politike dhe se po i krijon hapësirë kryeministrit Edi Rama për manovra politike.
“Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?”, shkruan Bardhi.
Ai e mbyll reagimin me një tjetër akuzë ndaj Prokurorisë së Posaçme: “Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo ‘Aleancës së Valamarit’?”
REAGIMI I GAZMENT BARDHIT
DITA 5
Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.
Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.
Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.
Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?
Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?
https://www.facebook.com/share/r/14tZVYD8hE6/?mibextid=wwXIfr













