Banorët e zonës së Valbonës i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e lumit, i cili sipas tyre prej fundit të muajit maj është kthyer çdo ditë në ujë të turbullt.
Në pamjet e dërguara në redaksi, uji i lumit shihet me ngjyrë të turbullt dhe gri në të kaftë, ndërsa në disa pjesë dallohet edhe sediment në rrjedhë.
Sipas denoncuesve, problemi lidhet me punimet e disa punonjësve të hidrocentraleve në zonë, të cilët pretendohet se shkarkojnë materiale që turbullojnë ujin.
“Akoma s’ka mbaruar sezoni veror dhe që në fund të muajit maj, Lumi Valbonë është i papastër dhe po turbullohet çdo ditë nga disa punonjës centralesh në këtë vend. Nuk lënë turistë, as njerëz e familjarë ta shijojnë ujin dhe të kalojmë disi vapën.”
Denoncuesi thekson se shqetësimi lidhet edhe me lumin Mullarek, i cili derdhet në Valbonë.
Sipas tij, problemi është ngritur edhe më parë pranë institucioneve përgjegjëse dhe mbi 100 familje nga zona janë ankuar për situatën.
“Vetëm këto ju lutem postojini, se mbi 100 familje nga ky vend janë ankuar në vendet përkatëse.”
Nga pamjet nuk mund të përcaktohet shkaku i turbullimit të ujit apo nëse ai lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e hidrocentraleve. Për këtë nevojitet verifikim në terren dhe analizë e ujit nga institucionet kompetente.
JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e banorëve, duke kërkuar verifikimin e situatës dhe një reagim nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e lumit Valbonë.