
Bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane ka çuar në zbulimin e një skeme transnacionale mashtrimi fiskal në sektorin e transportit rrugor. Hetimi është zhvilluar nga Guardia di Finanza e Chietit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Shqipëri.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, hetimi ka evidentuar një sërë shkeljesh me ndikim të konsiderueshëm financiar, mes tyre punonjës të padeklaruar, evazion fiskal dhe përdorim të faturave për operacione fiktive.
Në kuadër të hetimit janë identifikuar 95 punonjës të padeklaruar, ndërsa vlera e evazionit fiskal të evidentuar llogaritet në rreth 6 milionë euro.
Po ashtu, autoritetet kanë zbuluar më shumë se 3.5 milionë euro fatura për operacione fiktive, si dhe mbi 1.2 milionë euro kontribute të papaguara.
Të dhënat janë siguruar përmes shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve tatimore shqiptare dhe atyre italiane, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në identifikimin e skemave të evazionit fiskal që shtrihen përtej kufijve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaron se do të vijojë forcimin e bashkëpunimit me administratat tatimore dhe autoritetet partnere ndërkombëtare, me synim parandalimin dhe goditjen e skemave të evazionit fiskal.
Sipas DPT-së, ky bashkëpunim synon gjithashtu mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe garantimin e respektimit të detyrimeve fiskale nga subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik./Versus.al
Bonusi i pensionistëve, Ibrahimaj: Do të dyfshohet nga 1 janari 2027
Nafta në Shqipëri 45% më e shtrenjtë se në rajon, shkak taksat

