Muli sot ishte në dilema të mëdha. Çim Peka i kishte dalë një hap para. Ai djali që shau Edi Ramën duke zbritur nga avioni ishte kushëri i Çim Pekës.
Sapo kishte thirrur Lelon të bënin një deklaratë të fortë për shtyp, u pre.
– Qenka kushëri i Çim Pekës, tha. Na e ka bërë kastile.
– Po le të jetë, tha Lelo. Ne duhet ta përgëzojmë për gjestin e tij luftarak.
– E ka bërë kastile Çimi, t’i tregojë Doktorit që po sakrifikojnë edhe familjarisht gjithë fisi Peka dhe të më zëvendësojnë mua me një nga ata.
– Nuk besoj, tha Lelo. Ata kanë iniciativë personale si fis. Unë madje kam më shumë dyshime që ai e ka bërë për t’ia dhjesë Çimit, të bëhet më i njohur se ai. Se, meqë janë tre xhaxhallarë, vetëm nga ky xhaxha nuk ishte bërë njeri i njohur. Tek dy të tjerët janë shquar.
– Mund të jetë edhe kjo, tha Muli. Por kam frikë se do ta përdorë kundër meje. Do të thotë: “Pse asnjë kushëri i Mulit nuk ka sulmuar Ramën?”. Dhe do të shpallin një dëshmor në fis.
– Ja të shikojmë, tha Lelo. Të mos nxitohemi njëherë. Por unë dyshoj se ai e ka bërë më shumë se është xheloz për Çimin, sesa Çimi për ty. Plus, kur ka marrë vesh që Çimi ka shkuar te Trumpi dhe ka marrë përgjimet, që pastaj ky ia ka dhënë Ben Ahmetajt t’i lexojë, është bërë shumë xheloz.
– Pse, kështu thotë? – tha Muli.
– Po, patjetër. Versioni i fundit është që Trumpi nuk ia prish dot Netanjahut dhe e sulmon me përgjime bashkëpunëtorët e tij, duke ia dhënë Çim Pekës, që ky t’ia japë Ben Ahmetajt, dhe kështu të formohet një gurgule që të mos merret vesh që i ka shitur Trumpi.
– Qenka e thellë puna, tha Muli. Po vazhdoi edhe pak kjo punë, do të dalë që edhe takimi i Doktorit me Trumpin nuk lejohet të shfaqet në ekran deri javën e zgjedhjeve, që ta kemi si surprizë.
– Patjetër, tha Lelo. Ajo ka filluar të besohet pa e thënë akoma.
Lini një Përgjigje