Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur pas të shtënave me armë në një dyqan në lagjen Fatih të Stambollit, një prej zonave më të frekuentuara nga turistët në metropolin turk.
Sipas raportimeve të mediave turke, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes pronarit të dyqanit dhe një klienti. Informacionet e para, të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet, bëjnë me dije se përplasja mund të ketë nisur në një pikë këmbimi valutor.
Pas të shtënave, policia ka ndërhyrë në vendngjarje dhe ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirjen në incident, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.
Ndërkohë, agjencia private e lajmeve DHA ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, ku një person shihet duke u nxjerrë me barelë dhe duke u transportuar drejt një ambulance.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa vijon puna për zbardhjen e motivit dhe rolit të personave të përfshirë në konflikt.


