Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka bërë të ditur rezultatet e para të nismës për krijimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor sipas produkteve prioritare të çdo zone.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Salla njoftoi se që prej nisjes së procesit në muajin mars të këtij viti, janë krijuar 33 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor në 21 bashki, me 455 fermerë që kanë zgjedhur të bashkohen, ndërsa puna vijon në 12 bashki të tjera.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se modeli i bashkëpunimit synon të adresojë një prej vështirësive kryesore të fermerëve, kostot dhe fuqinë e kufizuar negociuese kur përballen individualisht me tregun.
"33 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor në 21 bashki, 455 fermerë që kanë zgjedhur të bashkohen dhe 12 bashki të tjera ku po vijon puna për krijimin e tyre. Këto janë rezultatet e para të punës së nisur në mars të këtij viti për të krijuar në çdo bashki shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor sipas produkteve prioritare të zonës.
Fermeri që punon i vetëm e ka më të vështirë të ulë kostot, të investojë në makineri, të grumbullojë, të përpunojë prodhimin dhe të negociojë me çmim më të mirë në treg, dhe pikërisht këtu hyn modeli i bashkëpunimit në bujqësi. Toka, ferma dhe prodhimi mbeten të tuat, por duke bashkuar forcat mund të ulni kostot, të përdorni së bashku makineritë, të investoni në grumbullim, përpunim dhe të keni fuqi negociuese më të lartë në treg. Për këtë arsye përmes Skemës Kombëtare 2026, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor kanë pasur përparësi dhe mundësi financimi deri në 100%, për më shumë investime dhe të ardhura për fermerët.
Në këtë nismë po punojmë edhe me bashkitë për të mbështetur këto modele me asete, infrastrukturë dhe shërbime, me vëmendje të veçantë për të rinjtë dhe gratë në zonat rurale që duan të investojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë. Nga fermeri që përballet i vetëm me tregun, te fermerët që bashkojnë forcat për të prodhuar, përpunuar dhe negociuar më mirë. Ky është modeli që po ndërtojmë në çdo bashki për t'i dhënë më shumë vlerë punës së fermerit dhe më shumë mundësi prodhimit #madeinalbania në tregun vendas dhe atë europian.", shprehet Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Nga ana tjetër të njëjtën video e ka shpërndarë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se ky është një model i thjeshtë bashkëpunimi ku toka dhe ferma mbeten të tuat, por bashkë mund të ulni kostot, të investoni, të grumbulloni e përpunoni prodhimin dhe të negocioni më mirë në treg. Përmes Skemës Kombëtare 2026, SHBB-të kanë pasur përparësi dhe mundësi financimi deri në 100%, sepse fermerit nuk i duhet vetëm mbështetje për të prodhuar, por edhe më shumë fuqi për ta çuar prodhimin #MadeInAlbania në treg me vlerën që meriton.
