Kryetari i PD-së në Durrës, Adrian Gashi, ka kundërshtuar skemën e re të parkimit të Bashkisë së Durrësit, duke e cilësuar atë një tjetër kosto për qytetarët, ndërsa sipas tij mbeten pa përgjigje disa çështje themelore për kapacitetet dhe funksionimin e parkimit.
Përmes një reagimi, Gashi tha se Durrësi ka nevojë për rregullim të parkimit dhe krijimin e më shumë hapësirave për automjetet, por sipas tij, Bashkia po nis nga tarifat dhe jo nga zgjidhja e problemit.
Sipas skemës së re të përmendur nga kreu i PD-së në Durrës, parkimi në zonën A kushton 100 lekë në orë, ndërsa në zonën B 40 lekë në orë.
Gashi llogarit se për një qytetar që punon në qendër dhe e parkon automjetin për 8 orë në ditë, kostoja mund të shkojë deri në rreth 17,600 lekë në muaj.
‘Një kosto që rëndon në xhepat e një familjeje në bazë mujore’, shprehet Gashi.
Reagimi i kryetarit të PD në Durrës, Adrian Gashi:
Durrësi ka nevojë për rregull në parkim dhe më shumë hapësira për automjetet, por skema e re e Bashkisë po sjell një tjetër kosto për qytetarët pa u dhënë ende përgjigje disa çështjeve thelbësore.
Në zonën A parkimi do të kushtojë 100 lekë në orë dhe në zonën B 40 lekë. Për dikë që punon në qendër dhe parkon 8 orë në ditë, kostoja mund të arrijë në rreth 17,600 lekë në muaj. Një kosto që rëndon në xhepat e një familjeje në bazë mujore.
Edhe banorët do të duhet të paguajnë. Karta e Rezidentit kushton 10,000 lekë në vit dhe parashikohet vetëm për një automjet për familje. Por pagesa e kësaj tarife nuk do të thotë se banori ka një vend parkimi të garantuar. Atëherë, sa vende ka realisht për rezidentët dhe çfarë ndodh me familjet që kanë më shumë se një automjet?
Ndërkohë, në disa prej rrugëve ku po vendoset skema, ende nuk ka përfunduar as vijëzimi i vendeve të parkimit.
Nuk mund të fillosh nga tarifa dhe pastaj të mendosh për shërbimin. Përpara se qytetarëve t’u kërkohet të paguajnë, Bashkia duhet të bëjë transparente kapacitetet reale të parkimit, mënyrën e funksionimit të skemës dhe ku do të shkojnë të ardhurat e mbledhura.
Durrësi ka nevojë për më shumë vende parkimi dhe më pak kosto të reja për qytetarët.
© SYRI.net
Nga ‘Albanian Files’ te përgjimet e Yeffet, aktivisti : SPAK të kërkojë sa më shpejt arrestimin e Ballukut
‘Bomba’ e kongresmenit amerikan: Qeveria e Ramës nxit krijimin e rrjeteve të drogës, krimi ndikon zgjedhjet
FOTO/ ‘Na bllokon online, na gjen në shesh!’, pankartat me mesazhe të forta për Ramën