Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një vizitë në Napoli të Italisë, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në këtë qytet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë momente nga ceremonia e hapjes së konsullatës, ndërsa gjatë vizitës zhvilloi edhe takime me rektorë të universiteteve dhe përfaqësues të strukturave akademike që merren me studimet shqiptare.
Në kuadër të qëndrimit në Napoli, kryeministri vizitoi edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit “L’Orientale”, një prej qendrave më të rëndësishme dhe historike të studimeve albanologjike.
Kjo katedër, e cila lidhet me traditën e intelektualëve arbëreshë dhe me figurën e Jeronim De Radës, konsiderohet ndër institucionet më të vjetra akademike kushtuar studimit të gjuhës shqipe. Për dekada, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Gjatë takimit me stafin akademik të universitetit, Rama vlerësoi rëndësinë e kësaj tradite dhe theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit institucional e akademik.
Kryeministri u shpreh për nevojën e krijimit të një rrjeti më të strukturuar bashkëpunimi, i cili do të ndihmonte në ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e mëtejshëm të studimeve shqiptare, si dhe të trashëgimisë kulturore e gjuhësore.
Në aktivitetet e zhvilluara në Napoli ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Vizita e Ramës vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Italia synojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, ndërsa hapja e Konsullatës së Nderit në Napoli synon të shërbejë edhe si një pikë lidhëse për marrëdhëniet me komunitetin shqiptar dhe institucionet vendase.


