Detaje të reja kanë dalë në pah nga operacioni policor i zhvilluar dje në portin e Durrësit, ku efektivët pikasën dhe sekuestruan rreth 41 kilogramë kokainë me vlerë më shumë se 2 milionë euro e fshehur në kontejnerat e mishit.
Droga e sekuestruar raportohet se i përkiste shqiptarit mjaft të njohur në botën e krimit, Gert Gjeneralit i njohur ndryshe si “Gjenerali”, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit si i forti i Tiranës, Naim Zyberi, në vitin 1997 në Itali.
Goditja e trafikimi të dhjetarë kilogramë kokainë drejt Shqipërisë u finalizua pas një hetimi 1 vjeçar, ku bëhet me dije se autoritetet Belge lëshuan disa masa sigurie, ndërsa pak më parë ata kishin rënë në gjurmët e një 48 vjeçari, i identifikuar si Arben. U., që kishte lidhje me Gert Gjeneralin.
Referuar hetimeve të kryera, 48-vjeçari në fjalë dyshohet të jetë ndërmjetësi mes grupeve nga Shqipëria dhe Amerika Latine për importimin e kokainës, përfshirë këtu dhe portin e Antwerpit.
“Një trafikant droge shqiptar, i cili ishte në procesin e krijimit të linjave të reja telefonike, u përgjua në apartamentin e tij në Berchem, Antëerp, për muaj të tërë. Kjo jo vetëm që e çoi policinë te të dyshuarit e tjerë, por zbuloi gjithashtu se burri shqiptar ishte në kontakt me një të dyshuar për vrasje, i cili është kërkuar në Itali për gati tridhjetë vjet. Të katër të dyshuarit u paraqitën para gjyqtarit hetues këtë mëngjes. Dy prej tyre mbeten në paraburgim dhe dy të tjerë kërkuan pezullimin e procedurave” shkruajnë mediet e huaja në lidhje me ngjarjen.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Publik të Antverpit, Kristof Aerts: “Burri në të dyzetat dyshohet se koordinoi grupet e ndryshme përgjegjëse për dërgesën, rikuperimin dhe shpërndarjen e drogës. Ai thuhet se ofroi metoda të ndryshme për kontrabandën e drogës, mund të kërkonte ndihmën e, për shembull, rojeve të sigurisë dhe drejtoi korrierët.”
Sakaq bëhet me dije se të mërkurën e javës që lamë pas autoritetet e huaja vunë në pranga ndërmjetësin Arben U. Së bashku me të, shtatë të dyshuar të tjerë në Antwerp, Berchem, Deurne, Kapellen, Bruksel, Evere, Sint-Agatha-Berchem dhe Sint-Joost-ten-Node. Katër prej tyre u përballën me gjyqtarët e huaj, përfshirë këtu shqiptarët Arben U. dhe bashkëpunëtorin e tij Gertjan B. Ky i fundit ishte liruar nga burgu vetëm një muaj më parë, ku kishte vuajtur një dënim për trafik droge.
Ndërsa bëhet me dije se dyshja mëngjesin e sotëm u lanë në paraburgim, masë e cila do të rishikohet më tej nga dhoma e gjyqtarëve ditën e premte.Siç kemi raportuar dhe ditën e djeshme, ngarkesa prej 41 kilogramë kokainë që u kap në Durrës dyshohet se i përket këtij grupi, në krye të të cilit përmendet shqiptari i dnëuar me burgim të përjetshëm, Gert Gjenerali.
"Port, Durrës/ Goditet një rast i trafikimit të kokainës nga Brazili drejt Shqipërisë.
Brenda një muaji goditen 3 raste të tentativës për të futur lëndë narkotike në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme" njoftoi dje Policia.
