E martë, 15 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Papajorgji dhe Sadushi vizitë zyrtare në Romë, priten nga Mattarella

Ilustrim · Vizion Plus

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri konfirmon rolin e tij si një partner i besueshëm dhe i respektuar në dialogun juridik ndërkombëtar. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, së bashku me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Romë, ku janë pritur në Palazzo del Quirinale nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Aktiviteti, në të cilën mori pjesë një delegacion i përbërë nga anëtarë të bordeve drejtuese të World Jurist Association dhe World Law Foundation, u përqendrua te zhvillimi i edicionit të radhës së World Law Congress Albania 2027, i cili do të mbledhë në Tiranë në muajin maj personalitetet më të shquara të drejtësisë globale.

Gjatë takimit u konfirmua zyrtarisht se Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, do të marrë pjesë si i ftuar nderi në këtë ngjarje të rëndësishme, së bashku me Madhërinë e Tij, Mbretin Felipe VI të Spanjës, si dhe autoritete të larta të institucioneve dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Përzgjedhja e Shqipërisë për të organizuar një ngjarje kaq prestigjioze përfaqëson jo vetëm një nder të veçantë për vendin, por edhe një dëshmi të qartë se puna, standardet dhe funksionimi i institucioneve të larta të drejtësisë dhe gjyqësorit, po vlerësohen gjithnjë e më shumë nga partnerët ndërkombëtarë.

Ky besim nuk është vetëm një vlerësim për organizimin e një aktiviteti ndërkombëtar. Ai është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i mënyrës se si institucionet shqiptare të drejtësisë perceptohen në marrëdhëniet me komunitetin juridik ndërkombëtar: si institucione me të cilat mund të ndërtohet dialog, bashkëpunim dhe partneritet në nivel të lartë.

Gjykata e Lartë, si bashkë organizatore e WLC 2027, mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, duke garantuar se Shqipëria do të jetë në lartësinë e pritshmërive për të pritur liderët e botës së drejtësisë në vitin 2027.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.