Macaulay Culkin nuk i mbajti dot lotët gjatë ceremonisë së 78-të të çmimeve Primetime Emmy, teksa nderoi Catherine O’Hara, aktoren që luajti nënën e tij në filmat ikonë “Home Alone”.
O’Hara, e njohur për rolet e saj në “Home Alone” dhe “Beetlejuice”, si dhe për interpretimin në serialin e suksesshëm “Schitt’s Creek”, u nda nga jeta më 30 janar 2026, në moshën 71-vjeçare, pas një beteje të fshehtë me kancerin.
Culkin ishte ende fëmijë kur interpretoi përkrah O’Hara-s në filmat e “Home Alone”, ku ajo luante Kate McCallister, nënën e personazhit të tij, Kevin McCallister. Marrëdhënia e tyre në ekran mbeti një nga elementët më të paharrueshëm të filmave që u kthyen në klasikë të kinemasë.
Në ceremoninë e së hënës në mbrëmje, Culkin iu bashkua edhe dy aktorëve të tjerë që luajtën “fëmijët” e O’Hara-s në “Schitt’s Creek”, Dan Levy dhe Annie Murphy, për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e saj gjatë segmentit “In Memoriam”.
“Catherine O’Hara. E kujtojmë si një nënë harraqe, apo jo? Por ne nuk do ta harrojmë kurrë”, e nisi Culkin fjalimin e tij, duke iu referuar me humor rolit të saj si nëna e Kevin McCallister në “Home Alone”.
Ai e përshkroi O’Hara-n me disa fjalë, duke veçuar veçanërisht një prej tyre.
“Ka shumë fjalë që mund t’i përdor për ta përshkruar Catherine. Ajo ishte inkurajuese. Ishte e ngrohtë. Ishte gazmore. Por fjala që më vjen në mendje është ‘Mama’”, tha aktori.
Culkin u duk dukshëm i emocionuar gjatë fjalimit dhe u pa duke fshirë lotët nga sytë përpara se të vazhdonte kujtimin e tij për aktoren.
“E dini, [O’Hara] nuk ishte vetëm bashkëshorte dhe nënë për bashkëshortin e saj, Bo Welch, dhe djemtë e tyre, Matthew dhe Luke. Ajo ishte mamaja ime. Ajo ishte mamaja jonë. Dhe, si rrjedhojë, ajo është mamaja e të gjithëve ne”, u shpreh ai.
Aktori i bëri më pas një thirrje të pranishmëve, duke i ftuar që “ta telefonojnë nënën tuaj sonte”, përpara se t’i kërkonte publikut të duartrokiste dhe të brohoriste për të gjitha “mamatë” që kanë pasur një rol të rëndësishëm në jetën e tyre.

“Por, si një mama e mirë, ajo ishte gjithmonë aty sa herë që i kërkoja të ishte”, vijoi Culkin. “Sepse e tillë ishte Catherine. Kjo ishte ajo që bënte. Ajo ishte gjithmonë aty.”
Momenti u kthye në një nga pjesët më emocionuese të ceremonisë së Emmy-ve, duke sjellë në vëmendje lidhjen e veçantë që O’Hara kishte krijuar ndër vite me kolegët e saj dhe me miliona shikues që e njohën dhe e deshën përmes roleve të saj.


