Një ditë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qindra shqiptarë janë mbledhur pranë Gjykatës Speciale në Hagë, në shenjë mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Qytetarë nga Kosova, por edhe nga vende të ndryshme të Evropës, kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë të pranishëm në ditën kur pritet të shpallet verdikti. Në mesin e të mbledhurve shihen flamuj të UÇK-së dhe simbole kombëtare, ndërsa atmosfera është shoqëruar edhe me një prani të shtuar të forcave të policisë pranë ndërtesës së gjykatës.
Pamje nga vendngjarja tregojnë numrin e madh të qytetarëve të mbledhur në pritje të vendimit për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët prej vitesh përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ndarë një video nga atmosfera pranë gjykatës, duke e shoqëruar me mesazhin: “Pafajësi për Çlirimtarët”.
Aktgjykimi i shkallës së parë pritet të shpallet nesër, më 16 shtator, në një seancë që do të nisë në orën 10:00.
Trupi gjykues do të japë vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa shpallja e aktgjykimit shënon një prej momenteve më të rëndësishme të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.


