Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Prishtina në pritje të vendimit historik për ish-krerët e UÇK-së! Qytetarët mbushin sheshin "Skënderbeu", me flamuj në duar presin "ditën e re të lirisë"

Shkruar nga Newsbomb
Prishtina në pritje të vendimit historik për ish-krerët e
Presim "ditë e re të lirisë"

Në prag të 16 shtatorit, dita kur Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin vendimin e shkallës së parë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kryeqyteti ka marrë një atmosferë krejt tjetër.

Në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë tashmë është vendosur një ekran i madh për ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancës nga Haga, janë shtruar qilima të kuq dhe janë vendosur flakadanë. Hapësira është përgatitur që qytetarët ta ndjekin së bashku momentin e shpalljes së vendimit.

Përgatitjet kanë ardhur pas thirrjes së organizatorëve të iniciativës "Liria ka emër" dhe aktivistit Çlirim Haziri, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në shesh që në mbrëmjen e 15 shtatorit, për ta pritur së bashku mëngjesin e vendimit. Tashmë një numër i madh qytetarësh kanë filluar të mblidhen në qendër, ndërsa pamjet tregojnë një mobilizim të plotë.

Kjo është një ngjarje historike, emocionale dhe politike për Kosovën. Fundi i një procesi 5-vjeçar ku akuza ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u konfirmua në tetor të vitit 2020. Që atëherë ata ndodhen në paraburgim në Hagë. Gjykimi ka zgjatur me vite, është shoqëruar me shtyrje të afatit për shpalljen e vendimit dhe ka shkaktuar debat të madh në Kosovë. Gjykimi u mbyll më 18 shkurt 2026 dhe vendimi pritej brenda 90 ditëve, por u shty fillimisht për 20 korrik dhe më pas për 16 shtator.

Prokuroria i akuzon për përgjegjësi individuale dhe komanduese për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë 102 vrasje, torturë, ndalim të paligjshëm dhe zhdukje të detyruara, të kryera ndaj të burgosurve në qendra ndalimi të UÇK-së në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë viteve 1998-1999. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar 45 vite burg për secilin.

Nesër pritet vendimi i shkallës së parë. Vetë Hashim Thaçi, në një intervistë për RTV Dukagjini pak ditë më parë, është shprehur se pret pafajësi për të gjitha akuzat. Në anën tjetër, edhe nëse shpallen të pafajshëm për krime lufte, ata mund të mos lirohen menjëherë, pasi ndaj Thaçit zhvillohet edhe një proces tjetër për pengim të drejtësisë, ku prokuroria ka kërkuar 6 vite burg shtesë.

Qytetet në Kosovë kanë vendosur orë me numërim mbrapsht për 16 shtatorin. Në Ferizaj, Prishtinë dhe qytete të tjera, iniciativa "Liria ka emër" ka vendosur instalacione të tilla si shenjë e pritjes për atë që e quajnë "ditë e re e lirisë".

Më 12 shtator, mijëra qytetarë u mblodhën në "Marshin për Liri" në Prishtinë me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe emblemat e UÇK-së, në mbështetje të katër ish-krerëve.

Për një pjesë të madhe të popullit në Kosovë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shihen si figura qendrore të luftës për pavarësi, ndaj vendimi konsiderohet si një "ngjarje tektonike" që do të ndikojë në politikën e brendshme dhe në raportet e Kosovës me Perëndimin.

Prandaj sheshi "Skënderbeu" sonte nuk është thjesht një vend ku është vendosur një ekran. Është kthyer në një hapësirë bashkimi, pritje dhe shprese kolektive për një vendim që shumëkush në Kosovë e sheh si gjykim ndaj vetë luftës së drejtë të UÇK-së.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese