Avokati Alban Duraj gjatë një interviste në Report TV u shpreh se Gjykata e Lartë kishte detyrim ligjor që të ndryshonte masën e sigurisë dhe ta linte Veliajn të hetohej në gjendje të lirë. Sipas tij, sot kryebashkiaku duhej të ishte ulur në tryezën e tij të punës.
Duraj argumentoi se janë plotësuar të gjitha kriteret për një masë më të lehtë, vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë i cili ka fuqi prapavepruese kur është lehtësues, fakti që Veliaj nuk ka asnjë kundravajtje tjetër penale në jetën e tij, rrethanat familjare me dy fëmijë të mitur, si dhe mungesa e tij 18-mujore në detyrë.
"Gjykata e Lartë kishte vetëm një vendimmarrje, që ishte ndryshimi i masës së sigurimit personal, nga ‘arresti me burg’ maksimumi mund të jepte ‘detyrim paraqitje’. Nëse do të isha unë, do e lija pa masë sigurie fare", tha Duraj.
Avokati paralajmëroi se në Gjykatën e Lartë pritet të caktohet edhe një seancë tjetër për shqyrtimin e masës ndaj Veliajt.
Por deklarata më e fortë e Durajt lidhet me rolin e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Rama është kundër lirimit të Veliajt dhe e ka treguar këtë në gjithë kronologjinë e veprimeve dhe mesazheve publike, duke e parë atë si rival politik.
"Statusi i Ramës është një status për të larë gojën me zotin Veliaj... Mendoj se kjo është një çështje e stisur nga vetë enturazhi i Ramës. Ai e ka thënë që në ‘një nga ato ditët dua të shoh Veliajn kur të varet në pemë’”, deklaroi Duraj.
