Tragjedi në Los Angeles/ Po filmonte nga ajri një aksident të rëndë, rrëzohet helikopteri televiziv rrëzohet, 3 të vdekur

Një helikopter televiziv u rrëzua të martën në mbrëmje, në orët e para të së mërkurës sipas orës së Shqipërisë, në Chatsworth të Los Angeles, ndërsa po mbulonte nga ajri një aksident të rëndë rrugor. Nga rrëzimi humbën jetën tre persona, ndërsa një tjetër u dërgua në spital me lëndime.
Helikopteri fluturonte mbi zonën veriperëndimore të Los Angeles dhe transmetonte pamje nga vendi ku një SUV ishte përplasur me një autobus. Dëshmitarët raportuan se panë helikopterin të rrëzohej në tokë dhe të përfshihej nga flakët, rreth një bllok larg vendit të aksidentit. Pamjet ajrore treguan mbetjet e helikopterit të dëmtuara rëndë.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur identitetin e viktimave apo gjendjen e plotë të personit të plagosur. Ndërkohë, televizioni lokal NBC4 njoftoi se kishte humbur kontaktin me një prej ekipeve të tij, duke ngritur dyshime se helikopteri mund t’i përkiste këtij stacioni.
Shërbimi zjarrfikës i Los Angeles njoftoi se një nga viktimat duket se ndodhej në tokë në momentin e përplasjes. Shkaqet e rrëzimit po hetohen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Helikopteri u rrëzua ndërsa ekipet e emergjencës ndodheshin në zonë për një tjetër aksident fatal. Pak më herët, një SUV ishte përplasur me një autobus të Metro në kryqëzimin e Nordhoff Street me De Soto Avenue, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë.




