Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama ka ndarë një video-kartolinë nga ceremonia e hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli gjatë të cilës e ka cilësuar Italinë si “alter egoja jonë europiane”.
Duke u ndalur te marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama vuri fokusin te lidhjet historike dhe ngjashmëritë mes shqiptarëve dhe italianëve, në veçanti mes Napolit dhe Shqipërisë. Ndërsa me humor, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh i lumtur për hapjen e kësaj konsullate, të cilën e cilësoi si Republikën Shqiptare të Napolit.
“Sot jemi këtu jo për të hapur një konsullatë në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për të hapur një derë mes dy realiteteve që historikisht kanë qenë shumë pranë dhe që, njerëzisht, janë shumë, shumë të ngjashme.
Mes Shqipërisë dhe Italisë ekziston tashmë një partneritet strategjik, solid dhe i thellë, por unë e urrej kur më shkruajnë në fjalimet e mia se Italia është një nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë, politikë dhe europianë, sepse kjo vlen për shumë vende të tjera. Italia nuk është ajo. Italia është alter egoja jonë europiane.
Dhe Napoli është pasqyra jonë nga kjo anë e detit, sepse ne jemi napolitanët e anës tjetër dhe jemi krenarë që jemi të tillë dhe nuk duam të bëhemi milanezë, për të thënë.
Unë jam këtu shumë i lumtur që po e jetoj këtë moment gëzimi, këtë moment ku, edhe pse nuk po, le të themi, shpallim Republikën Shqiptare të Napolit, por gjithsesi kemi hapur së bashku një derë ku është flamuri i Shqipërisë dhe unë jam gjithmonë i lumtur kur e shoh pranë flamurit italian”, u shpreh Rama.

