I “zhdukur” prej tre ditësh, vijojnë kërkimet në të gjithë Greqinë për Alket Rizain

Athinë – Një operacion i gjerë është duke u zhvilluar nga Policia Greke për lokalizimin dhe arrestimin e Alket Rizait, i cili nuk është kthyer në burgun ku po vuante dënimin, pasi kishte marrë leje nga autoritetet.
Sipas zëdhënëses së Policisë Greke, Konstantia Dimoglidou, Rizai duhej të paraqitej në institucionin penitenciar në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës, 14 shtator, por nuk është paraqitur.
“Që nga momenti kur nuk u paraqit në institucionin penitenciar, siç ishte i detyruar, Policia Greke po e kërkon jo vetëm në zonën e gjerë të Atikës, ku është regjistruar shfaqja e tij e fundit pas incidentit në një lokal, por në të gjithë vendin”, deklaroi Dimoglidou për televizionin shtetëror grek ERT.
Sipas saj, Rizai kishte përfituar më parë 16 leje dhe nuk kishte shkelur asnjërën prej tyre.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe një incident me të shtëna armësh që dyshohet se ka ndodhur në orët e para të së dielës pranë një beach bar-i në Anavisos, ku dyshohet se është përfshirë edhe Rizai.
Alket Rizai, 48 vjeç, është i njohur për autoritetet greke, veçanërisht për dy arratisje spektakolare me helikopter nga burgu i Korydallos, në vitet 2006 dhe 2009.
Në të dyja rastet, ai ishte arratisur së bashku me të dënuarin grek Vasilis Palaiokostas.
Rizai është dënuar për vepra të rënda penale dhe ka qenë në mënyrë të përsëritur në fokus të autoriteteve të drejtësisë dhe forcave të rendit në Greqi.




